Komedia “Testamenti i ri”, shfaqja e parë teatrale në pandeminë e covid-19

Është dhënë shfaqja e parë teatrore në Shqipëri në kushtet e pandemisë. Është komedia “Testamenti i ri” me regji të Gëzim Kames, shfaqur në skenën e Teatrit “Kame” në Ibë përballë spektatorëve të reduktuar në numër.
Por kanë mjaftuar ata për t’u dhënë zemër në skenë e për të kumbuar zëri i aktorëve yje të skenës sonë si; Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Sotiraq Bratko, Guri Koço dhe Zamira Kita.
Për të sjellë një mesazh shoqëror që edhe pse shkruar në vitet ’30 nga dramaturgu, por dhe kineasi franko-rus, Sacha Guitry, mbetet aktual, sepse trajton hipokrizinë që ekziston në një marrëdhënie familjare.
Personazhi Doktori Marcelin, interpretuar nga Viktor Zhusti ka një familje, të krijuar para 20 viteve, por mesa duhet martesa është konsumuar dhe bashkëshortja ka nisur një tjetër lidhje intime, me të birin e mikut të tij të vjetër. Papritur doktori kuptoi se gjithë e ashtuquajtura paqe në familje është false, hipokrizi, e vendos t’i japë fund kësaj gjendjeje. Duke hartuar një testament të ri, ku ndryshoi trashëgimtarët dhe dispozitat dhe ku zbulon familjen e tij, familjen tjetër dhe shoqërinë. Testament që gjendej në xhepin e një xhakete e bie rastësisht në dorën e miqve të tij, që mësojnë gjëra që duhet t’i dinin pas vdekjes së doktor Michelinit.
Testamenti i ri në fakt u bë edhe film në vitet ’30, e pati sukses edhe në kinematë e kohës në Europë. Por së fundi në Shqipëri mesazhi u mirëdëgjua pas afro një shekulli në skenë edhe në kushte pandemie.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




