Komisioni i Jashtëm i PE miraton rezolutën për Shqipërinë

Politikë | 6 vite më parë

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian ka miratuar sot raportin  për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke u fokusuar në përmbushjen e 15 kushteve të vendosura për çeljen e negociatave. Në raport ngrihet shqetësimi në lidhje me akuzat për blerjen e votës, duke theksuar se ndjekja penale për këtë çështje është një ndër kushtet e vendosura nga Këshilli më 25 mars të vitit të kaluar.

Po ashtu, në raport vihet theksi edhe te marrëveshja e 5 qershorit mes palëve politike, duke vënë në dukje “dështimin për t’u mbështetur më tej në të”. Sot u miratuan amendimet e mëposhtme të propozuara nga Grupi PPE:

“Mirëpret rezultatin pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, i cili zbatoi disa nga rekomandimet e OSBE / ODIHR, por vë në dukje dështimin për t’u mbështetur më tej në të dhe faktin se pavarësisht thirrjeve të përsëritura ndërkombëtare për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias, hapat e mëtejshëm u morën pa një konsensus të gjerë ndërpartiak që rezulton në miratimin e ndryshimeve të diskutueshme të Kodit Zgjedhor në Tetor 2020 nga Parlamenti Shqiptar”, thuhet në raport.

Një tjetër shqetësim që preket në raport është edhe i në lidhje me pastrimin e parave, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të patundshme. Në lidhje me paketën anti-shpifje, raporti inkurajon zbatimin e plotë të Komisionit të Venecias të 19 qershorit.

“Shpreh në mënyrë të përsëritur shqetësimin rreth masave të propozuara fillimisht nën të ashtuquajturën ‘paketë anti-shpifje’ dhe vëren se çdo rishikim i ligjeve të medias dhe Kodit Penal duhet të bëhet në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke garantuar se zërat dhe mendimet e shoqërisë civile, medias dhe gazetarëve të dëgjohen me qëllim të përmirësimit të lirisë së medias dhe mjedisit të punës së gazetarëve të pavarur”, theksohet mes të tjerash në raport.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme