Koncerti “Morricone ishte im atë”, i biri Andrea sjell në Tiranë muzikën e kompozitorit të madh
Nën tingujt e pavdekshëm të muzikës filmike, Tirana u shndërrua në një skenë të madhe emocionesh, duke mirëpritur koncertin “Morricone ishte im atë” në kuadër të festimeve për Ditën e Europës.
Me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare dhe nën kujdesin e veçantë të kryeministrit Edi Rama, kjo mbrëmje solli në zemër të kryeqytetit një homazh për Ennio Morricone, një prej kompozitorëve më të mëdhenj të muzikës së kinemasë botërore.
Koncerti “Morricone ishte im atë” u mbajt mbrëmjen e së shtunës në sheshin ‘Italia’ në Tiranë, ku morën pjesë figura të rëndësishme të jetës publike, mes tyre kryeministri Edi Rama, presidenti i Republikës Bajram Begaj, ambasadori i BE në Tiranë Silvio Gonzato etj.
Andrea Morricone dirigjoi Orkestrën Simfonike të RTSH, duke sjellë për publikun emocionin e veprave ikonike të të atit.
Në këtë mbrëmje mori pjesë edhe Marco Morricone, i cili përmes fjalës riktheu kujtimin dhe trashëgiminë artistike të familjes Morricone.
“Ishte një koncert i mrekullueshëm, në fakt një nga ato koncerte që në jetë të takon t’i bësh një herë ose dy herë.”
“Projekti ‘Morricone’ në fakt kishte ardhur në Tiranë pak përpara se të vinte te unë. Ia prezantova kryeministrit dhe ai ishte i mahnitur me faktin që ata ishin të interesuar për ta sjellë në Shqipëri. Kështu që projekti është bërë menjëherë dhe mund të them që është realizuar në një kohë rekord, sepse e gjithë kjo skenë dhe kjo shfaqje është përgatitur në pak se sa një muaj.”
Kjo mbrëmje muzikore ndërthuri kujtesën, familjen dhe artin, duke e kthyer koncertin në një homazh të ndjerë dhe një përjetim të veçantë për publikun shqiptar, në nder të trashëgimisë së pavdekshme të Morricone-s.
Koncerti solli në kryeqytet tingujt e pavdekshëm të kolonave zanore që kanë bërë histori në kinemanë botërore, të interpretuara me dinjitet nga Orkestra Simfonike e Radio-Televizionit Shqiptar dhe kori i Teatrit të Operës dhe Baletit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





