Konflikt për pronën te “Kepi i Rodonit”, 8 të arrestuar, mes tyre ish-deputeti Mark Frroku

Ish-deputeti kristiandemokrat Mark Frroku dhe shtatë persona të tjerë janë arrestuar për shkak të një konflikti pronësie te Kepi i Rodonit.
Sipas informacioneve siguruar nga RTSH, Mark Frroku ka qenë i pranishëm në konfliktin për pronën mes banorëve të zonës dhe përfaqësuesve të Kishës Katolike.
Bashkë me të janë ndaluar edhe Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri.
Ditën e djeshme Policia bëri me dije se disa prej banorëve të fshatit Shetaj në zonën e Kepit të Rodonit u konfliktuan me përfaqësues të kishës katolike, për shkaqe pronësie.
Sherri mes tyre nisi gjatë kohës kur “përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim, pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë”.’
Policia në kërkim të autorit që qëlloi me armë zjarri
Policia njoftoi të hënën se vijon puna për kapjen e shtetasit që dyshohet se qëlloi me armë zjarri, në ajër, gjatë konfliktit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manzë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, te kepi i Rodonit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
B. K., E. R., O. R. dhe Y. R., për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”;
M. F., A. L., P. D. dhe M. L., për veprat penale “Kanosja”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. S., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, si dhe vijon puna për kapjen e shtetasit B. T.

Ditën e djeshme, shtetasit B. K., E. R., O. R., Y. R., banorë të fshatit Shetaj, janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit N. S., M. F., A. L., P. D. dhe M. L., përfaqësues të kishës françeskane, të cilët po bënin rrethimin e një sipërfaqeje toke në zonë, për të cilën kanë certifikatë pronësie. Si pasojë e konfliktit, shtetasit e përfshirë në konflikt kanë pësuar dëmtime fizike.
Policia gjeti në vendin e ngjarjes një gëzhojë arme zjarri. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi që ka qëlluar me armë zjarri, gjatë konfliktit, është shtetasi B. T.
Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




