Konflikti për pronën në Kepin e Rodonit, banorët sherr me sende të forta me përfaqësuesit e kishës katolike

Disa prej banorëve të fshatit Shetaj në zonën e Kepit të Rodonit janë konfliktuar me përfaqësues të kishës katolike.
Sipas policisë, konflikti ka ndodhur për shkaqe pronësie. Sherri mes tyre ka nisur gjatë kohës kur “përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë”.’
“Në zonën e Kepit të Rodonit, disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës katolike, shtetasit N. S., M. F., M. L. dhe P. D.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Durrësit.
Pas konfliktit me grushte situata ka degraduar në përdorimin e sendeve të forta, ndërsa sipas policisë “në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri”
“Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët pasi kanë marrë ndihmë mjekësore, janë shoqëruar bashkë me shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, me qëllim kryerjen e veprimeve për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet më tej në njoftim.
Ndërkaq nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit të sotëm.
“Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve”, shpjegohet më tej në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



