Kongresmenët amerikanë vizitojnë sot Luginën e Preshevës, në fokus marrëveshjet e pazbatuara nga Serbia

Kosovë | 4 muaj më parë

Dy kongresmenët amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, do të vizitojnë sot (e martë) Luginën e Preshevës.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se e mirëpresin delegacionin amerikan.

“Një moment historik për Luginën”, e ka konsideruar ajo vizitën që pritet të ndodhë sot, përmes një reagimi në Facebook.

Sinani tha më vonë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se para kongresmenëve synon t’i theksojë disa nga problemet kryesore me të cilat përballet popullsia shqiptare në Luginën e Preshevës, raporton KosovaPress.

“Para së gjithash, bëhet fjalë për përfaqësimin e pamjaftueshëm institucional të shqiptarëve në institucionet shtetërore, çështjen e pasivizimit të adresave, mosnjohjen e diplomave të fituara në Republikën e Kosovës, zhvillimin e pabarabartë ekonomik, shkallën e lartë të papunësisë dhe shpërnguljen e vazhdueshme të të rinjve”, tha ajo.

Ajo shtoi se gjithashtu do të shtjellohet edhe nevoja e zbatimit të qëndrueshëm të marrëveshjeve të arritura më herët, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon, si dhe çështja e bllokimit të mjeteve financiare të autoriteteve kosovare për mbështetjen e popullsisë shqiptare në Luginë.

“Në veçanti do të hapim edhe çështjen e paralajmëruar të vendosjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe shqetësimin e qytetarëve në Luginën e Preshevës lidhur me këtë çështje, si dhe nevojën që të gjitha proceset të zhvillohen me besim të plotë dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet”, theksoi Sinani.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës dhe shteti i Serbisë kanë arritur tri marrëveshje, në vitet 2001, 2007 dhe 2013, të cilat parashikojnë mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e pakicës shqiptare, por këto marrëveshje nuk janë zbatuar.

Integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore është pjesë e detyrimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Me iniciativën e kongresistit Self, anëtarët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratuan në janar të këtij viti një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme