Konispol,problemet vështirësojnë banorët e fshatit Mursi

Prej më shumë se 30 vitesh, banorët e fshatit Mursi në bashkinë e Konispolit po përballen me probleme. Në këtë fshat gjithnjë ka shkëputje të herëpashershme të energjisë elektrike, çka ka dëmtuar shpesh edhe pajisjet elektroshtëpiake të banorëve. Ata thonë se për këtë problem që fshati ka, janë ankuar shpesh por ende presin një zgjidhje.
Një tjetër problem ndërkaq për fshatin Mursi në zonën e Konispolit, janë mbetjet inerte që hidhen këtu, nga banorët buzë liqenit të fshatit por edhe mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza që për pasojë, derdhen në liqen. Ata thonë se ujërat e zeza përbëjnë shqetësim të madh. Edhe pse Bashkia ka vendosur kosha për mbeturinat dhe punonjës vijnë e i pastrojnë përditë, bashkëfshatarët vazhdojnë të jenë të papërgjegjshëm.
“Në fshatin tonë prej 30 vitesh nuk është vënë dorë fare! Një shi të bjerë, një erë të fryjë dhe shkëputen korenti. Unë kam nënën 88 vjeçe në shtëpi edhe jeton me qiri! Ndotja është një tjetër problem që nuk po merr zgjidhje e që krijohet nga individë të pandërgjegjshëm”, thotë një banor i fshatit.
“Problemi kryesor, është energjia elektrike. Pa drita nuk jetohet në fshat. Dritat ikin shumë shpesh, është shumë problem i madh. N’a janë djegur frigoriferë, televizorë, etj. Tjetër problem janë ujërat e zeza që derdhen në liqenin pranë e kjo s’është normale”, shprehet një tjetër banor.
Në fshatin Mursi, aktualisht jetojnë më shumë se 200 familje. Megjithë investimet që janë bërë në këtë zonë, pasi ky fshat është përfshirë në 100 fshatrat për zhvillim, banorët sërish përballen me probleme të kësaj natyre.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




