KOS ultimatum 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor: Përshpejtoni reformat, ose rrezikoni të humbisni 700 mln euro

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos u ka kërkuar gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat, duke paralajmëruar se rrezikojnë të humbasin kolektivisht mbi 700 milionë euro nga Plani i Rritjes, deri në mesin e këtij viti, për shkak të moszbatimit të tyre.
Paralajmërimin me shkrim siç raporton Radio Europa e Lirë, nga burime në Komisionin Evropian, komisionarja Kos e ka bërë përmes një letre dërguar më 17 prill në të gjitha kryeqytetet e rajonit.
Plani i Rritjes është i bazuar në performacë që është i lidhur me afate kohore. Burimet e REL-it kanë konfirmuar se me këtë letër, komisionarja Kos u ka kërkuar të gjithëve vendeve të përshpejtojnë reformat e parashikuara në Planin e Rritjes, në mënyrë që të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e kësaj pakoje financiare.
Në fakt, mjetet financiare nga Plani i Rritjes janë të kufizuara në kohë. Për çdo hap reformues është paraparë një afat përfundimtar për zbatim dhe është ndarë një shumë e caktuar parash.
Bazuar në shumën maksimale, në total mund të humben 710.6 milionë euro, që përfaqëson 11.84 për qind të financimit të përgjithshëm nga Plani i Rritjes.
Qershori i këtij viti përbën momentin kur secili vend hyn në të ashtuquajturin moment të humbjes së përhershme, nëse nuk i përmbush reformat e dakorduara më herët.
-Kosova: 68.8 milionë euro
-Shqipëria: 67.7 milionë euro
-Bosnja dhe Hercegovina: 373.9 milionë euro
-Mali i Zi: 15.1 milionë euro
-Maqedonia e Veriut: 49.2 milionë euro
-Serbia: ndërmjet 108.7 dhe 135.9 milionë euro
KE-ja ka paraparë edhe të ashtuquajturën “periudhë grejs”, e cila mundëson shtyrjen e zbatimit për një periudhë të caktuar kohore. Për hapat që duhej të përmbusheshin në mesin e vitit 2025, afati përfundimtar skadon më 30 qershor të këtij viti, ndërsa për hapat që duhej të realizoheshin në fund të vitit 2024, ky afat përfundon gjatë vitit 2026. Ky plan, ndër të tjera, synon të dyfishojë ekonomitë e këtyre vendeve gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




