Kredi me interes 0 për punonjësit e Policisë, qeveria mbulon qiranë për gardistët

Politikë | 3 vite më parë

Nga data 15 shtator hapen aplikimet për kredi me zero interes, për 100 punonjësit e parë të policisë së shtetit të cilët nuk kanë një banesë në pronësi. Është ky vendimi i marrë sot në mbledhjen e qeverisë dhe u komunikua nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Ky i fundit bëri me dije se gjatë katër muajve të vitit 2023 synohet të trajtohen 100 punonjës policie, me kushtin e moshës jo më shumë se 40 vjeç dhe që të mos kenë banesë tjetër.

“Vijimi i një vendimmarrjeje tjetër që kemi bërë në Këshillin e Ministrave për trajtimin me kredi me interes zero të punonjësve të Policisë së Shtetit. Çdo punonjës që ka krijuar familje të re dhe është brenda moshës deri në 40 vjeç pas pak ditësh, për shkak se do duhet të ngrihet dhe formati i aplikimit brenda sistemit e-Albania deri në 15 shtator, besoj, duhet të aplikojnë të gjithë nëse plotësojnë kriteret e mospasjes së një banese tjetër”, u shpreh Balla.

Ai tha se gjithë fasha prej 900 efektivësh policie, të evidentuar pa banesë, është parashikuar të ndihmohen me kredi pa interes brenda 3 vitesh.

“Kemi evidentuar dhe janë rreth 900 punonjës policie sot, që kanë problematika me strehimin, synimi është që brenda 4 muajve të mbetur të vitit 2023 të trajtojmë 100 familjet e para të punonjësve të policisë me banesa, gjatë vitit 2024 të trajtojmë 300 familje të tjera dhe gjatë vitit 2025 shpresojmë të përmbyllet e gjithë kjo fashë prej 900 familjesh punonjësish policie, që kanë nevojë t’u zgjidhet një prej halleve të tyre më madhore, sikurse është strehimi. Do të vazhdojmë ta kemi këtë si një prej objektivave tona themelore dhe besoj që përpara festave të fundvitit do të kem mundësinë që vizitoj disa prej punonjësve të PSH në banesat e tyre të reja”, tha Balla. 

Një tjetër vendim i qeverisë, me propozim të Ministrisë së Brendshme, është dhe mbulimi i qirave për punonjësit e Gardës, që janë zhvendosur me punë në një qytet tjetër bashkë me familjen.

“Janë disa ndërhyrje që lidhen me përkujdesjen ndaj punonjësve të Gardës së Republikës, sikurse  e kishim bërë më parë për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe anëtarët e Forcave të Armatosura. Me vendimin e sotëm të qeverisë për gjithë punonjësit e Gardës së Republikës, që për shkak të detyrës detyrohen të jetojnë në një qytet tjetër, është domosdoshme që ne të sigurojmë mbulimin e qerasë, për këta punonjës që kryejnë këtë zhvendosje bashkë me familjen e tyre për shkak të detyrë”, deklaroi ministri Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme