Krifca: 3.2 miliardë lekë buxhet për bujqësinë, ulim kostot për fermerët!

Bujqësia për këtë vit ka marrë fondin më të madh të akorduar ndonjëherë në 30 vitet e fundit nga qeveria shqiptare, në mbështetje të fermerëve dhe blegtorëve.
Gjatë fjalës së saj në Parlament, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi se buxheti i vënë në dispozicion në mbështetje të drejtpërdrejtë është më i larti i akorduar ndonjëherë.
“Buxheti i vënë në dispozicion në mbështetje të drejtpërdrejtë, është më i larti i akorduar ndonjëherë pas vitit 1991, me 3.2 miliardë lekë duke mos llogaritur këtu edhe fondet e IPARD të cilat për këtë vit pritet të injektojnë jo më pak se 27 milionë euro në sektor. Në mbledhjen e qeverisë dje, kemi miratuar VKM 101 për skemën kombëtare të mbështetjes për bujqësinë të cilën e kemi konsultuar gjerësisht me aktorët e sektorit.
Për herë të parë do të mbështeten fermerët të cilët prodhojnë në sera mesatarisht nga 20% deri në 40% të kostove të tyre të inputeve si fara, fidanë apo inpute të tjera të nevojshme për procesin e prodhimit. Sistemet e prodhimit në serra janë ato të cilat kanë edhe kosto më të larta inputeve, pra edhe ato që ndikohen më shumë nga kjo rritje çmimi.
Mbështetja jonë do të shkojë dhe tek ndërtimi i serrave diellore duke ndikuar ndjeshëm në shtimin e sipërfaqeve të reja. Njëkohësisht do të vazhdojmë të mbështesim me naftë falas fermerët për të ulur kostot e punimeve të mekanizuara në kulturat dhe ne përdorimin me efektiv të tokës bujqësore dhe rritjen e sipërfaqes se kultivuar. Efekti i pritshëm është të dyfishojmë numrin e përfituesve të vitit të kaluar. Do vijojmë të mbështesim blegtorinë e bletarinë për të ulur kostot e prodhimit dhe rritur numrin e krerëve”.- tha Krifca.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




