Krimet zgjedhore – Blerja e votave, presioni dhe kërcënimet ndaj votuesve janë vepra penale serioze

Aktualitet | 1 vit më parë

Krimet zgjedhore janë në fokusin e institucioneve ligjzbatuese në këtë periudhë parazgjedhore, por edhe pas zgjedhjeve. Blerja e votave, presioni dhe kërcënimet ndaj votuesve përbëjnë vepra penale serioze. Autorët e këtyre veprimeve do të përballen me përgjegjësi ligjore të plotë.

Këto janë disa nga krimet dhe dënimet përkatëse për secilën vepër:

  • Korrupsioni aktiv dhe pasiv në zgjedhje, si ofrimi dhe pranimi i parave, të mirave materiale apo favoreve të tjera në këmbim të votës dënohet me heqje lirie 1–5 vite.
  • Çdo veprim që cenon zgjedhjet si votimi përmes kanosjes, falsifikimi apo dëmtimi i materialit zgjedhor dënohet me heqje lirie 3 muaj–8 vite.
  • Nxitja ose fotografimi i votës dhe shfaqja tek të tjerët dënohet me heqje lirie 3 muaj–4 vite.
  • Votimi më shumë se një herë apo votimi për persona të tjerë, duke paraqitur dokumente identifikimi të rreme ose duke përdorur dokumente të zgjedhësve të tjerë, dënohet me heqje lirie 1–3 vjet.
  • Lejimi me dashje i votimit nga komisionerët zgjedhorë, pa kryer identifikimin e shtetasit sipas ligjit, përbën vepër penale dhe dënohet me heqje lirie 6 muaj–3 vjet.

Avokati Redi Rama, në një intervistë për RTSH, u shpreh se legjislacioni shqiptar është i ashpër për sa i përket krimeve zgjedhore.

“Krimet zgjedhore kanë dënime të larta sipas Kodit Penal dhe janë juridiksion i SPAK-ut, që do të thotë se Prokuroria e Posaçme ka detyrën t’i ndjekë këto krime,” tha z. Rama.

Sipas avokatit, bashkëpunimi i SPAK-ut, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ-së në mbrojtje të zgjedhjeve të lira ka dhënë efekt.

“Ka një pritshmëri nga qytetarët, por edhe një stepje ose frenim për kryerjen e këtyre veprave penale,” u shpreh avokati.

Prokurorëve të SPAK-ut dhe agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit u janë ngarkuar hetimi i krimeve zgjedhore sipas qarqeve, ndërkohë ka bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Përgjithshme dhe KQZ-në.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme