Kriza energjitike, BE rekomandon uljen e konsumit, fikjen e dritave natën dhe mbështetje për familjet në nevojë

Komisioni i Evropian ka ndarë me shtetet anëtare një sërë rekomandimesh urgjente për të zbutur ndikimin e çmimeve të larta të energjisë, të nxitura nga situata e tensionuar në Lindjen e Mesme. Në një letër drejtuar 27 ministrave të energjisë të mbledhur në Dublin, Komisioneri i Energjisë i BE-së, Dan Jorgensen, ka bërë publik katalogun e masave që synojnë uljen e menjëhershme të kërkesës për gaz, energji elektrike dhe naftë.
Ndër masat kryesore të sugjeruara për qeveritë kombëtare përfshihen ulja e konsumit gjatë orëve të pikut, kufizimi i ngrohjes në ndërtesat publike dhe fikja e dritave të panevojshme gjatë natës. Këto udhëzime bazohen tek plani AccelerateEU, i cili ndërthur ndërhyrjet në uljen e kërkesës me përshpejtimin e investimeve në burimet e rinovueshme dhe efikasitetin energjitik.
Mbështetja sociale dhe kushtëzimi i ndihmave për industrinë
Përveç thirrjeve për kursim, paketa vë theksin edhe tek mbrojtja e shtresave në nevojë dhe ekonomisë. Rekomandimet e Brukselit përfshijnë mekanizma konkretë mbështetës, të tillë si kuponët e energjisë, tarifat sociale, çmimet e rregulluara përkohësisht, si dhe uljen e akcizave dhe taksave mbi energjinë elektrike.
“Ulni konsumin e energjisë elektrike gjatë orëve të pikut, kufizoni ngrohjen në ndërtesat publike dhe fikni dritat e panevojshme natën,” theksohet në udhëzimet e dërguara ministrave gjatë takimit informal të Këshillit të Energjisë.
Nga ana tjetër, ndihmat për industritë që konsumojnë sasi të mëdha energjie parashikohet të kushtëzohen nga kalimi te praktika më të gjelbra. Ndërkohë, katalogu nxit gjithashtu transportin e pastër, përmes stimujve për makinat elektrike, infrastrukturën e karikimit dhe zhvillimin e hekurudhave e shtigjeve të biçikletave, ndonëse të gjitha këto masa mbeten të natyrës rekomanduese dhe jo detyruese për vendet anëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




