Krujë/ Ish- tuneli i ushtrisë, në zonën e mbrojtur mjedisore, transformohet në laborator kanabisi

Ish tuneli i ushtrisë në zonën e mbrojtur mjedisore të Krastës, në Krujë, është përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Tuneli ndodhej në një zonë të vështirë kalimi.
Gjatë kontrollit në tunel u gjetën të kultivuar 390 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, sistem ndriçimi me 30 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë, 30 rritës të energjisë elektrike, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Policia informoi sot arrestimin në flagrancë të tre banorë të zonës, njëri prej tyre 21 vjeç, që nga hetimet rezultoi se ushtronte dhe veprimtarinë e paligjshme të lojrave të fatit.
Tuneli furnizohej me energji elektrike të pandërprerë, nëpërmjet një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike, në shtyllën e tensionit në fshatin Halil, Fushë Krujë, “lidhje për të cilën ka qenë e nevojshme patjetër ndërhyrja e specializuar e punonjësve të OSHEE-së së zonës,” informoi sot policia.
Dy punonjës të OSHEE-së Fushë Krujë ranë në pranga, si dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë, njëri me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së.
Arrestimet
Të arrestuar si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale janë
H. S., 61 vjeç R. H., 58 vjeç, të dy banues në banues Halil, Krujë, si dhe A. S., 21 vjeç, banues Fushë Krujë. Ata akuzohen për “Kultivimim të bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektike”, “Organizimi i lojërave të fatit”
Shtetasit O. F. dhe E. H., me detyrë punonjes të OSHEE-së Fushë Krujë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në kërkim shtetasi S. K., me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së, i arrestuar dhe më parë për këtë paligjshmëri, dhe shtetasi E. K., me detyrë elektricist i zonës.
Vijon puna hetimore për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Operacioni
Operacioni policor antikanabis u kodua “Tuneli” dhe u ndërmor nga Policia e Krujës dhe strukturat operacionale të DVP Durrës, mbështetur dhe në inteligjencën informative.
Operacioni vjen dhe në zbatim të porosive të dërguara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për intensifikimin e kontrolleve në ambiente të mbyllura, ish-magazina dhe tunele, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, me anë të llambave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



