Kryebashkiaku Veliaj reagon ndaj gjobës së KQZ: Do ta apeloj! S’e ndal punën se do Luli të bëhet kryeministër

Politikë | 6 vite më parë

Kryebashkiaku Erion Veliaj, ka reaguar ashpër pas vendimit të KQZ-së për ta gjobitur se ka shkelur vendimin për të mos marrë pjesë në aktivitete që mund të sjellin përfitime elektorale. Veliaj, deklaroi për News 24 se do ta apelojë vendimin e KQZ, ndërkohë që ka theksuar se e cilëson të padrejtë.

”Jam njohur edhe me lajmin, edhe akuzat. Ishte akuza nga opozita për të ndaluar Rindërtimin. Janë të dëshpëruar, duan të ndalojnë procesin. Gjumi nuk mund dot punën. Kam kohë të apeloj. Ka diçka të pandershme kur gjobitesh se punon, dhe bën me shtëpi njerëz që jetojnë në çadër. Ndërkohë nuk gjobitesh nëse bëhesh me 5 vila, gjatë pandemisë dhe tërmetit, madje mund të kandidosh për kryeministër. Një kandidate tjetër ka shitur tre herë shtëpi, është dënuar, dhe kandidon me PD në Rrogozhinë e Kavajë. Nëse bën detyrën si kryebashkiak, që të bësh njerëz me shtëpi, të futen në shtëpitë që janë prokuruar që vjet. Ka diçka thellësisht amorale. Do e apeloj. Ka drejtësi në apel, ligji nuk është shkelur. Tani që Luli të fitojë ca vota, dhe Monika të futet në parlament, të ulet ritmi i punës për këta, kemi humbur 30 vjet. KQZ ka një sekëlldi shumë të madhe, vjen prej opozitës që iku. Ka marrë përsipër të krijojë kushtet që opozita të futet në lojë. Kanë një mision të vështirë, që duhet të luajë edhe ai qullaci që nuk e kap dot topin. Duhet të bëhen babysitter. Politika është lojë për të rritur. Nëse janë fëmijërorë, dikush që shtoi 5 vila jo vetëm s’kërkon ndjesë, por thotë më zgjidhni kryeministër. Ndërkohë ne po japim shtëpi. Po bëhen qesharakë, duke shpërblyer krimin me mandat, dhe punën me gjobë”, tha Veliaj.

Më tej kryebashkiaku shtoi se “kjo është gjobë se pse njerëzit futen në shtëpi. Gjobë e kësaj natyre. Ne ruajmë distancën, heq maskën vetëm ai që është distancuar. Të gjithë mbajnë maskë, s’është gjobë shëndetësie. Por bëhet fjalë pse futëm njerëzit në shtëpi, dhe që Luli me Monikën të gjejnë shesh për përshesh”.

“Ne jemi rritur në këtë shoqëri, dhe po të ndihmosh tjetrin bën mirë. Kurse me këto rregulla, po t’i lësh në rrugë bën mirë, dhe po të shtosh 5 vila bëhesh kryeministër. Jemi rritur me vlerat ndihmo fukarain, kurse ai që shton vilat ka kush e mbron. Puna do vazhdojë, njerëzit do futen nëpër shtëpi. Fakti që ai është kampion i sportit të gjumit, nuk e bën KQZ ta bëjë me detyrim sportin e gjumit.”- tha Veliaj.

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme