Kryeministri Rama nis turin ballkanik, viziton sot Kosovën, takohet me Presidenten Osmani

Politikë | 3 vite më parë

Kjo e enjte (6 korrik) shënon fillimin e turit ballkanik të Kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit udhëton sot drejt Prishtinës, ku ashtu sikurse e konfirmoi një ditë më parë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të kenë një takim së bashku në ambientet e presidencës në orën 16:00.

“Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pret në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama”, thuhej në njoftim e Presidencës.

Kreu i qeverisë shqiptare pritej të takohej gjithashtu dhe me homologun e  tij nga Kosova, Albin Kurti, por pas deklaratës së bërë dje nga ky i fundit, se biseda mes tyre do ndodhte nëse do zhvillohej mbledhja e përbashkët e dy qeverive, duket se takimit mes tyre nuk do ndodhë, duke qenë se Kryeministri Rama nuk ka ndryshuar pozicion,

Sakaq, pas takimit mes Osmanit dhe Ramës, kreu i qeverisë shqiptare pritet të takohet edhe me Kryeparlamentarin e Kosovës, Glauk Konjufca.

Rama mësohet se do të qëndrojë ditën e sotme në Kosovë, ndërsa të premten( 7 korrik) do të vijojë takimet në Podgoricë, Beograd dhe Sarajevë.

Kujtojmë se turi i Kryeministrit Rama në kryeqytetet ballkanike, vjen në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor.

/rtsh.al/

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme