Kryeministri Rama, reagon ndaj deklaratave të presidentit Meta, për koronavirun

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas kërkesës së presidentit Ilir Meta për të ndërmarrë masa emergjente, pasi, sipas tij, “sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë, me pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve”. Kreu i qeverisë thotë se strategjia e opozitës është e turpshme, pasi shpresojnë të vinë në pushtet “duke ëndërruar për një katastofë shëndetësore”.
“Ilir, që ti, Monika, Luli, Saliu, i keni varur shpresat tuaja të lodhura për pushtet tek ëndrra e katastrofës shëndetësore, këtë e kupton çdokush me dy fije mend! Që do dështoni edhe më keq se herë tjetër këtë do ta shihni në 25 prill! Kjo që bëni është një turp që do u mbetet juve!”, shkruan Edi Rama.
Kryeministri ka përmendur edhe rastet e vetëvrasjeve të personave të infektuar, duke e krahasuar me Italinë. Ai shprehet se për disa muaj në vendin fqinj janë vetëvrarë 71 persona, ndërkohë që opozita italiane nuk merret me këto tragjedi.
“Në Itali, nga marsi në gusht, janë vetëvrarë 71 persona me Covid dhe s’ka bërë vaki të merret opozita me këto tragjedi. Po ju s’jeni opozitë. Ju jeni një çetë e çakërdisur personazhesh qesharake me kostume serioze! Do kaloni dhe ju bashkë me Covidin, me dhimbje, po do kaloni me dimrin!” – shkruan kryeministri. /rtsh.al
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



