Kryeministrja daneze në Tiranë, Rama: Vizita ka rëndësi gjeopolitike! Frederiksen: Shqipëria, zë i fortë për vlerat europiane

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka vizituar për herë të parë Tiranë, duke u bërë e para lider e Danimarkës që viziton Shqipërinë. Ajo është pritur nga kryeministri Edi Rama me ceremoni zyrtare, ku e cilësoi “si një vizitë me rëndësi gjeopolitike për Ballkanin dhe BE”.
Forcimi i partneritetit, mbështetja e proceseve të integrimit të Shqipërisë dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve ishin fokusi kryesor i bisedës, ku palët u angazhuan që të rrisin edhe më tej bashkëpunimin në fushat me interes për të dyja vendet.

Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministrja daneze Mette Frederiksen,vizitë në Tiranë
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Rama vlerësoi rolin e Danimarkës në mbështetjen e Shqipërisë në të gjitha proceset e integrimit.
“Mes Shqipërisë dhe Danimarkës ka një histori marrëdhëniesh diplomatike shumë të mira. Danimarka ka qenë prezente në gjithë procesin e transformimit të vendit, qoftë përmes agjencisë së saj të ndihmës por mbi të gjitha edhe politikisht dhe diplomatikisht duke mbështetur Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në procesin e integrimit në BE. Vizita e kryeministres këtu ka një rëndësi të veçantë edhe për marrëdhëniet gjeopolitike të Europës me Ballkanin”, tha Rama.
Nga ana tjetër kryeministrja daneze vlerësoi kryeministrin Rama për “zërin e tij të fortë” për mbrojtjen e vlerave europiane dhe integrimin e plotë të Ballkanit në BE.

“Mendoj se jeni një nga zërat më të fortë në Europë kur bëhet fjalë për integrimin e plotë të Ballkanit me BE. Shqipëria është një partner mjaft I vlerësuar për Danimarkën dhe një aleat mjaft i besuar i NATO-s. Ne do të ndërtojmë një partnerittet edhe më të fortë”, tha Frederiksen.
Një tjetër pikë e diskutimit ishte edhe turizmi, ku Shqipëria po preferohet gjithnjë e më shumë nga danezët. Kryeministri Rama dhe kryeministrja daneze Frederiksen u dakorduan se palët do të bashkëpunojnë edhe në këtë fushë.

“Ne shikojmë një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve danezë në Shqipëri dhe fluturimet direkte nga Kopenhagen në Tiranë janë rritur vit pas viti. Shikojmë një interesim të sipërmarrjes daneze. Shpresojmë që me ndërhyrjen e kryeministres këtu të ndikojë më shumë në rritjen e turistëve danezë në Shqipëri”, tha Rama
Të tjera fusha bashkëpunimi mes dy vendeve do të jetë edhe në fushën e arkitekturës, planifikimit urban, rindërtimit, ku partneriteti mes Danimarkës dhe Shqipërisë do të forcohet më shumë në të ardhmen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




