Kukës, miliona euro investime për rikualifikimin urban

Ndërsa pret fazën finale të ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar, Kukësi vijon të investojë miliona, nga të ardhurat e veta dhe të qeverisë, për të ndryshuar pamjen e qytetit. Plani i rikualifikimit urban të qytetit verior është pjesë e një strategjie për të krijuar një paketë të plotë turistike për vizitorët e ardhshëm që përfshin Kukësin nën ujë, Kukësin nën Kukës si dhe Kukësin e rikualifikuar.
Edhe pse kohë nuk është e favorshme, njerëzit në Kukës vijojnë të punojnë sapo dielli del sado pak mbi Gjallicën e mbuluar me dëborë. Po punohet për rikualifikimin urban të qytetit, ndërsa më tej është investuar edhe për rindërtimin e varrezave të dëshmorëve. Eshtë hartuar projekti për sistemimin e rrugës “Pallati i Kulturës – Godina e Turizmit” dhe është shpallur tenderi i kërkuar nga Bashkia Kukës, spjegon Andrit Shehu, Drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, Kukës.
Në qytet vijon të punohet për risistemimin e lagjeve. Kompanitë që kanë fituar të drejtën për të realizuar punimet janë në valën e punëve, ndërsa ka një heshtje në fazën përfundimtare të ndërtimit të stadiumit të Kukësit.
Kukësi ka mundësi të shumta për t’u kualifikuar si një qytet që ka të ardhme turistike jo vetëm për shkak të aeroportit në ndërtim, por edhe për historinë e afërt dhe të largët që lidhet me një qytet të vjetër nën ujë, me një tjetër Kukës nën Kukësin që po rindërtohet, spjegon Safet Gjici, Kryetar i Bashkisë.
Radio Televizioni Shqiptar është duke përgatitur një dokumentar të veçantë për Kukësin dhe Aeroportin e tij të ri që besohet se do të jetë gati për kukësianët, por jo vetëm në muajin prill të këtij viti.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




