Kultivimi i pjeshkës, rezulton me fitim të mirë – shtohen sipërfaqet e mbjella në Maliq
Kultivimi i pjeshkës në fshatin Pojan të Maliqit vijon të rezultojë i suksesshëm për fermerin Gurkazi Nezir, i cili prej disa vitesh i është përkushtuar kësaj kulture. Prodhimi i mirë dhe përshtatja e kësaj peme me kushtet klimatike të zonës e kanë bindur fermerin që të zgjerojë më tej sipërfaqet e mbjella.
“Kam shtuar edhe një pjesë tjetër prej pesë dylymësh, sepse ka të ardhura të mira. Me sa ju ka shkuar në total sipërfaqe? Një hektar, ose 10 dylymë.”
Fermeri tregon se një kujdes i veçantë duhet treguar ndaj trajtimeve mbrojtëse, fillimisht për të shmangur dëmtimet nga ngricat dhe më pas për monitorimin dhe luftimin në kohë të dëmtuesve, me qëllim mbrojtjen e prodhimit dhe ruajtjen e cilësisë së frutave.
“Periudha më e vështirë për të mbajtur pjeshkën është muaji prill, kur ajo lulëzon. Në atë kohë patjetër ka ngrica, të ftohta, madje edhe dëborë, prandaj fermeri duhet të interesohet për ta mbajtur. Ne e kemi zgjidhur këtë me metoda të thjeshta, duke siguruar kashtë për ndezjen e zjarreve në të dy ovrat. Pastaj duhet pasur parasysh se ka edhe dëmtues të tjerë. Një prej tyre është fitoftora, por ka edhe insekte të ndryshme që dëmtojnë, si tenja dhe krimbi i pjeshkës. Atëherë duhet marrë masa të domosdoshme për mbrojtjen e kulturës.”
Një tjetër proces i rëndësishëm është edhe sigurimi i vaditjes. Përzgjedhja e kultivarit Venus rezultoi e përshtatshme për klimën e Korçës, ndërsa prodhimi i kënaqshëm i viteve të fundit ka rritur interesin e tij për zgjerimin e mëtejshëm të pemtores.
“Vaditja është siguruar vetë. Më ka marrë çmime këtu dhe e kam lidhur me një pompë. Paditet e gjithë sipërfaqja.”
Kultivimi i kësaj kulture shihet edhe si një alternativë për fermerët e tjerë të zonës, veçanërisht për diversifikimin e prodhimit bujqësor dhe shfrytëzimin më të mirë të tokave të Maliqit.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





