Kurti në pritje të mbledhjes së qeverive/ Rama: U dorëzuan në MEPJ-in e Kosovës 13 marrëveshjet e firmosura nga ne

Mëngjesin e kësaj të enjte (6 korrik) janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës 13 marrëveshjet e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive Prishtinë-Tiranë, të firmosuara nga pala shqiptare.
Kryeministri Rama teksa ka bërë me dije lajmin, shprehet se me kundërfirmosjen e palës kosovare, 13 marrëveshjet hyjnë menjëherë në fuqi.
“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë.
Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, shkruan Rama në rrjetin social Twitter.
Reagimi i sotëm nga Kryeministri erdhi një ditë pas deklaratave të artikuluara një ditë më parë (5 korrik) nga Kryeministri Albin Kurti, u cili tha se do të takohet me Ramën në rast se mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive dhe nënshkrimi i 13 marrëveshjeve të cilat mbetën pezull nga anulimi i mbledhjes së mëparshme.
Sakaq, Kryeministri Rama nis sot turin ballkanin në kuadër të procesit për Samitin e Berlinit, ku sikurse u bë me dije në axhendën e kreut të qeverisë shqiptare, ky i fundit mbetej në pritje për konfirmimin e takimit me homologun e tij nga Kosova.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




