Kurti në takim me Ursula von der Leyen: Kosova meriton statusin e vendit kandidat

Kosovë | 1 orë më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë konferencës së përbashkët, theksoi se rruga evropiane e Kosovës varet nga përparimi në reforma dhe respektimi i sundimit të ligjit, duke nënvizuar se pavarësia e gjyqësorit duhet të mbetet e pacenueshme.

E pyetur për projektligjin e propozuar për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ajo tha se i takon Kosovës të vendosë për hapat që dëshiron të ndërmarrë, por shtoi se është thelbësore që sistemi gjyqësor të mbetet i pavarur.

Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti e falënderoi presidenten e Komisionit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke vlerësuar vizitat e saj të shpeshta në vend. Ai tha se që nga takimi i tyre i parë, Kosova ka shënuar progres të dukshëm në demokraci, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Kurti deklaroi se vlerësuesit e pavarur ndërkombëtarë kanë konfirmuar përparimin demokratik të Kosovës, duke theksuar se vendi ka përjetuar një nga rritjet më të shpejta të treguesve demokratikë në rajon gjatë dekadës së fundit.

“Përderisa në rajonin tonë të Evropës Juglindore ka autokraci elektorale, tek ne ka demokraci elektorale”, tha Kurti, duke shtuar se zgjedhjet në Kosovë janë të lira, të drejta dhe konkurruese.

Në një moment me tone humori, ai tha se zgjedhjet duhet të mbahen një herë në katër vjet dhe jo dy herë brenda një viti, duke iu drejtuar me buzëqeshje Von der Leyenit.

Kryeministri theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të Nenit 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian dhe se mbështetja e qytetarëve për integrimin evropian vazhdon të jetë ndër më të lartat në rajon.

Duke folur për sigurinë, Kurti deklaroi se Kosova renditet ndër vendet më të sigurta në Evropë. Sipas tij, nëntë nga dhjetë qytetarë ndihen të sigurt të ecin vetëm gjatë natës, ndërsa përmirësimet më të mëdha në siguri dhe sundim të ligjit janë arritur në veri të vendit.

Sa i përket zhvillimit ekonomik, ai tha se ekonomia e Kosovës po vazhdon të rritet me rreth katër për qind në vit, ndërkohë që borxhi publik mbetet ndër më të ulëtit në Evropë.

Kurti përmendi edhe masat sociale të ndërmarra nga qeveria, përfshirë shtesat për fëmijë dhe nëna, rritjen e pensioneve dhe pagës minimale, duke theksuar se përfitimet e rritjes ekonomike janë ndarë me qytetarët.

Ai ritheksoi se Kosova është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, përfshirë mbështetjen për sanksionet ndaj Rusisë pas agresionit kundër Ukrainës.

Në konferencë, Kurti foli edhe për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka miratuar dhjetë nga dymbëdhjetë ligjet që duhej të procedoheshin deri në qershor dhe tashmë i ka dërguar ato në Kuvend. Ai shprehu bindjen se deputetët do t’i miratojnë shpejt, në mënyrë që Kosova të mos humbasë fondet evropiane të dedikuara për reformat.

Gjatë takimit me Von der Leyen, kryeministri kërkoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për disa hapa të rëndësishëm integrues.

Ai tha se ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, si dhe integrimin në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit.

Sipas tij, këto procese do të lehtësonin qarkullimin e mallrave ndërmjet Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, do të ulnin kostot për bizneset dhe do të afronin ekonominë kosovare me tregun unik evropian.

Kurti kërkoi gjithashtu që Komisioni Evropian të mbështesë dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe t’i rekomandojë Këshillit të Bashkimit Evropian kërkimin e opinionit të Komisionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, duke kujtuar se në dhjetor bëhen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit.

Në pjesën e konferencës që iu kushtua vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë, Kurti tha se ekzistojnë tri elemente që duhet të theksohen në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë” dhe trafikimin e organeve nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës, akuzat për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike kundër popullsisë civile janë rrëzuar, ndërsa vetë Dhomat e Specializuara kanë theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq dhe se vendimi nuk synon të vërë në pikëpyetje legjitimitetin e luftës çlirimtare.

Megjithatë, kryeministri shprehu kundërshtime ndaj disa përfundimeve dhe dënimeve të shqiptuara, për të cilat tha se përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike.

Ai shprehu pritjen që këto çështje të trajtohen dhe korrigjohen gjatë procesit të apelimit.

“Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e të përjetohet si e tillë”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova vazhdon të kërkojë drejtësi për të gjitha viktimat e luftës, përfshirë rreth 20 mijë viktimat e dhunës seksuale, si dhe ndëshkimin e të gjithë autorëve të krimeve pa dallim. Ai theksoi se nuk duhet të lejohet krijimi i narrativave që barazojnë përgjegjësinë dhe fajësinë për krimet e kryera gjatë luftës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme