Kurti pret ministren Spiropali: Hekurudha Gjakovë–Shkodër prioritet strategjik mes dy vendeve

Uncategorized | 7 muaj më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Prishtinë.

Në një postim pas takimit, Kurti bëri të ditur se në fokus të diskutimeve ishte projekti hekurudhor Hekurudha Gjakovë–Shkodër, në kuadër të korridorit Prishtinë–Durrës. Sipas tij, kjo hekurudhë do të jetë prioritet i këtij mandati, me synimin që puna për ndërtimin të nisë sa më parë.

Kurti theksoi se investimi strategjik në infrastrukturën hekurudhore do të forcojë lidhjet ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Kënaqësi të prisnim në Zyrën e Kryeministrisë ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali. Hekurudha Gjakovë–Shkodër në kuadër të projektit Prishtinë-Durrës do të jetë prioritet i këtij mandati, me synimin që puna për ndërtimin e saj të nisë sa më parë. Ky investim strategjik në infrastrukturën hekurudhore do të forcojë lidhjet ekonomike mes dy vendeve, do të rrisë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve dhe do të kontribuojë në zhvillimin rajonal, duke afruar edhe më tej qytetarët tanë”, shkruan Kurti.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për vazhdimin e mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare gjatë vitit 2026, si dhe për nevojën e një koordinimi më të madh në politikën e jashtme dhe në forume ndërkombëtare.

“Po ashtu, në takim theksuam rëndësinë e vazhdimit të mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare gjatë vitit 2026, si dhe nevojën për koordinim më të madh në politikën e jashtme dhe në forume ndërkombëtare. Bashkëpunimi i ngushtë për diasporën shqiptare, veçanërisht në promovimin e gjuhës dhe kulturës te gjeneratat e reja, mbetet prioritet i përbashkët dhe një faktor kyç për zhvillimin ekonomik, diplomatik dhe kulturor të të dy shteteve”, tha Kurti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme