Kurti thirrje serbëve të Kosovës: Mos besoni propagandën e Beogradit. Siguria juaj, obligimi ynë

Kosovë | 1 vit më parë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një videomesazh drejtuuar qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, që të mos besojnë propagandën e Beogradit, duke i garantuar mbrojtje për sigurinë, paqen dhe të drejtat e tyre.

Sipas tij, propaganda serbe se qeveria po përgatit sulme kundrejt kësaj pakice ne veri të Kosovës, janë mashtrime dhe “britma luftënxitëse”. Kurti vuri më tej theksin te rëndësia e pluralizmit politik dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve serb.

 “Shteti ynë me Kushtetutë ua garanton të drejtat dhe lirinë të gjithëve dhe dëshiron bashkëpunimin sa më të mirë për realizimin e tyre. Ju lus mos t’u besoni britmave luftënxitëse të zyrtarëve të lartë të Beogradit për gjoja sulme apo pogrom që gjoja po përgatit qeveria e Kosovës kundër jush. Beogradi zyrtar zyrtarisht gënjen. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore do t’ju mbrojnë edhe prej tyre. Paqja dhe siguria juaj janë obligimi ynë. Unë jam kryeministër i të gjithëve. Nuk jam kundër asnjë komuniteti etnik. Unë u shërbej të gjithë qytetarëve të shtetit tonë të përbashkët”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se Kosova është një republikë demokratike dhe shoqëri multietnike, ku jetojnë 92% shqiptarë dhe 8% nga komunitetet joshumicë.

“Dallimet ndërmjet nesh nuk janë shkak tensionesh, por përmbajtje e diversitetit që është pasuri e përbashkët dhe përparësi për zhvillim”, shtoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme