Lehtësohen faturat e energjisë për klientët debitorë, ulen kamatëvonesat – 300 aktmarrëveshje në rajonin jugor
Gjatë kësaj periudhe FSHU pjesë e OSHEE grup ka nisur aplikimin e skemave lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike për abonentët debitorë , duke konfirmuar se deri më tani në rajonin jugor janë lidhur gjithsej 300 aktmarrëveshje. ku përfshihen klientë familjarë dhe jo familjarë .Ndërsa ata që janë me ndihmë ekonomike kanë përfituar këstin më të ulët prej 1200 lekësh në muaj.
“Numri i debitorëve është ulur si numër. Nuk është më ai numër i debitorëve që ka qenë dikur. Sot flasim që FSHU-ja, pjesë e OSHEE Group, është në një moment shumë të mirë sa i përket pjesës së debitorëve. Pjesa dërrmuese janë familjarë, pasi shtresat që janë në nevojë, për shembull pensionistët ose ata që marrin ndihmë ekonomike, kanë përfituar këstin më të ulët prej 12.000 lekësh të vjetra”, tha Aurel Meçi, Drejtor i njësisë së furnizimit të shërbimit universal në Gjirokastër.
Skema e lehtësuar mbulon detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2024 për të gjithë abonentët.
“Të vijnë dhe të përfitojnë, pasi pas datës 31 janar 2026 nuk do të kenë më këto skema. Këto skema janë, në fakt, të veçanta këtë vit, pasi edhe abonentët problematikë me dokumentacionin, siç është emri i subjektit dhe nuk i përket këtij pronari, por një pronari tjetër, ne i procedojmë nëpërmjet një procedure shumë të veçantë, e cila është vetëm për këtë vit”, tha ai.
Këto masa synojnë t’u japin të gjitha kategorive të abonentëve një mundësi reale për të mbyllur përfundimisht faturat e prapambetura dhe për të lehtësuar barrën e tyre financiare.
Gazetare: E. Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




