“Lëvizja Bashkë” protestë para Kuvendit: Të miratohet minimumi jetik

“Lëvizja Bashkë” është ngritur në një protestë para Parlamentit, duke kërkuar miratimin e minimumit jetik.
Ndërsa brenda parlamentit zhvillohej seanca plenare, partia e re e kryesuar nga Arlind Qori i bëri thirrje Kuvendit që të shqyrtojë sa më parë projektligjin për minimumin jetik, me qëllim garantimin e dinjitetit të shoqërisë shqiptare.
“Ti mund të kesh punuar 40 vjet, në të bardhë e në të zezë, dhe shteti në Shqipëri nuk ka asnjë lloj detyrimi për ty. Rrofshin kalamajtë që ikin nga sytë këmbët në Gjermani, në Amerikë, mbrapa diellit, që punojnë nga një punë, nga dy punë, nga tre punë jo vetëm për të mbajtur veten, jo vetëm për të mbajtur fëmijët e tyre dhe por edhe bashkëfamiljarët e tyre, që janë këtu në pension, dhe marrin a s’marrin 80 mijë lekë të vjetër.
Mjerë në Shqipëri, mjerë po dole në pension. Në vendet e përparuara, pensioni është ditë që qytetari mezi e pret, se ka punuar disa dekada dhe duke ruajtur nivelin e mirëqenies së deritanishme nuk do shkojë në punë. Pra dita e pensionit është ditë e uruar. Në Shqipëri, dita e pensionit, hiq ndoshta 5, 3 apo 2 për qind të popullsisë, për të gjithë të tjerët dita e pensionit është një ditë e mallkuar,” u shpreh Qori.
Parlamenti shqiptar ka propozuar rritjen e rrogave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe kjo çështje u ngrit edhe gjatë protestës.
“80 mijë lekë të vjetra. 6 mln e 700 mijë lekë do të jetë rroga e anëtarëve të GJK. Do të kërkojmë minimumin jetik që të ulim këto diferenca. Nuk mundet që një pensionist që ka kontribuar një jetë të tërë në Shqipëri të marrë 100 herë më pak se një anëtar i GJK. E kuptoni ku jemi? Kërkojmë që urgjentisht të miratohet minimumi jetik.
Po shkatërrohen universitetet. Kjo bëhet për të kontrolluar shoqërinë, për ta lënë në varfëri shoqërinë. Nëse ne miratojmë minimumin jetik, do ketë dinjitet. Do jesh i detyruar t’i japësh llogari votuesit. Parlamenti shqiptar jo vetëm të shqyrtojë projektligjin, por ta miratojë atë, që të shkëputet menjëherë shoqëria nga varfëria,” tha një nga protestuesit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




