Kosova bie në “Fadil Vokrri”, Turqia shkon në Botëror

Kosova dorëzohet përballë Turqisë në finalen e play off për një vend në Botërorin 2026. “Dardanët” u mposhtën me rezultatin 1-0 në “Fadil Vokrri”, gol i shënuar nga Aktürkoğlu në minutën e 53-të.
Një ëndërr që u shua, një natë që dhemb por krenaria mbetet. Kosova nuk arrin dot të shkruajë historinë për të arritur një biletë për në Kupën e Botës. Në stadiumin Fadil Vokrri, përfaqësuesja dardane u mposht 0-1 nga Turqia, në një përballje ku gjithçka u vendos nga një moment i vetëm.
Një pjesë e parë që dhuroi ritëm dhe raste të shumta nga të dyja skuadrat. Në minutën e 22-të një aksion i bukur i Kosovës ndezi stadiumin, lëvizje e shpejtë e Asllanit që shërbeu për Hoxhën, por ishte ndërhyrja e vendimtare e mbrojtjes turke që ndal një rast premtues.
Pesë minuta më vonë, turqit provuan me Kokcu. Mesfushori nga një distancë e konsiderueshme provoi, por goditja nuk mori trajektoren e duhur. Minuta e 29-të solli emocionet më të mëdha. Fisnik Asllani befasoi me një goditje të papritur, por portieri Çakir reagoi në momentin e duhur duke shpëtuar ekipin e tij. Topi përfundoi më pas te Muriqi, i cili nuk arrin të konkretizojë atë mundësi, ndonëse kapiteni ndodhej në pozicion të parregullt.
Në minutën e 33-të, zemrat e tifozëve dardanë ndalen për një çast. Yildiz zbret rrezikshëm dhe shërben për Akturkoglu, por në sekondën e fundit ndërhyn mbrojtja. Dellova tregohet hero duke larguar një gol të sigurt.
Në pjesën e dytë, goli që vendosi gjithçka erdhi në minutën e 53-të. Pasimi i Yldiz gjeti Kokçun, i cili goditi dobët, por fati ishte në anën e turqve, pasi mjaftoi një devijim i lehtë i Akturkoglu për të dërguar topin në rrjetë.
Kosova luftoi deri në fund. Në minutën 81’, Muslija provoi me një goditje të fuqishme nga e djathta, por tentativa e tij përfundoi jashtë kuadratit. Vetëm pak minuta më vonë, në të 87-ën, Asllani doli mjeshtërisht nga vorbulla e mbrojtjes turke dhe goditi drejt portës, por Çakir ishte sërish aty, duke i mohuar golin për të dytën herë.
Në fund, ishte një ndeshje ku shpirti dhe zemra e Kosovës nuk mungoi në asnjë moment, por fati dhe detajet e vogla bënë diferencën. Turqia siguron kështu një biletë për në Botëror, rikthim që i mungonte që nga viti 2002, ndërsa Kosova largohet me kokën lart, por me një shije të hidhur që historia ishte kaq pranë…
KOSOVË-TURQI 0-1
Shënues: Aktürkoğlu 53′
Mbyllet sfida, Turqia fiton 1-0 dhe siguron një biletë në Botërorin 2026. Kosova ndalet këtu.
90’ – Janë dhënë 6 minuta shtesë
87’ – Asllani godet në hyrje të zonës, por Çakir bën një pritje mjaft të vështirë.
81’ – Muslia godet rrezikshëm nga distanca, por pa arritur të gjejë kuadratin.
80’ – Hajdari i dëmtuar, nuk mund të vazhdojë më tej, në lojë Fidan Aliti. Rashica zbret në fushë në vend të Rexhbecajt.
71’ – Ndryshim te Kosova, Zhegrova aktivizohet në vend të Vojvodës.
63’ – Yildiz shfaqet rrezikshëm në zonën e dardanëve, por Muric ka arritur të evitojë rrezkun.
53’ – Turqia ka kaluar në avantazh, autori i golit është Aktürkoğlu.
50’ – Duele të forta në mesfushë në këtë fillim të pjesës së dytë, por mundësitë për shënim në portat respektive mungojnë.
Ka nisur pjesa e dytë mes Kosovës dhe Turqisë…
Është mbyllur pjesa e parë në “Fadil Vokrri” mes Kosovës dhe Turqisë në barazim 0-0.
45′ – Nervozizëm mes lojtarëve në “Fadil Vokrri”, një reagim i Aktürkoğlu ndërsa kshte shkaktuar një ndërhyrje të gabuar, ka sjellë një përplasje mes lojtarëve, por situata është zgjidhur menjëherë, me Aktürkoğlu e Hajdarin që janë ndëshkuar me të verdhë.
33’ – Shpëton mirë porta e Dardanëve, Yildiz zbret rrezikshëm duke shërbyer për Aktürkoğlu, por në momentin e fundit mbrojtja largon rrezikun, Dellova tregohet i vëmendshëm.
29 ‘ – Mundësi e mirë për Kosovën, Asllani godet rrezikshëm, po topi është ndalur në traversë me devijimin dhe të portierit Çakir.
26’ – Presion i përfaqësueses së Kosovës, Muriqi e Asllani shfaqen rrezikshëm në zonën turke, por Çakir tregohet i kujdesshëm.
24’ – Asllani ka një mundësi mjaft të mirë për të shërbyer për Muriqin në një situatë të favorshme, por topi përfundon në duart e Çakir.
22’ – Kosova shfaqet rrezikshëm, Asllani shërben për Hoxhën, i cili godet, por topi ndalet nga një mbrojtës për të përfunduar më pas në goditje këndi.
16’ – Vojvoda nga e djathta e sulmit dërgon një top në zonën turke, por Muriqi e Asllani janë larg, Çakir kontrollon pa problem.
14’ – Kombinime të frikshme të lojtarëve sulmues të përfaqësueses turke, por në fund mungon finalizimi, mbrojtja dardane largon rrezikun.
10’ – Një stuatë e rrezikshme në zonën e Kosovës, por në fund topi ka përfunduar në një goditje këndi, që nuk solli ndonjë rrezik për portën e mbrojtur nga Muric.
3’ – Turqia tenton me Akturkoglu, por Muric ka arritur të kontrollojë pa problem.
Ka nisur sfida në “Fadil Vokrri” mes Kosovës dhe Turqisë, finalja e play-off, për një biletë në Botëroin 2026.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





