Logu: Pajtimi në PD nuk vjen nga vendimet gjyqësore, por nga ndërgjegjësimi i opozitës

Avokati i Partisë Demokratike, Marash Logu, u shpreh se me vendimin e djeshëm Gjykata e Tiranës nuk i dha vlerë ligjore pretendimeve të z. Basha me të ashtëquajturin “statut i PD së 2 Shtatorit 2023”.
Duke folur në emisionin “Ekspres”në RTSH, Logu tha se: “Për sa kohë që ky ndryshim statutor nuk u regjistrua nga ana e Gjykatës, nuk fitoi vlerë ligjore, z. Basha nuk mund ti drejtohet asnjë pale të tretë, pra nuk mund ti drejtohet as Kuvendit me idenë që ne kemi ndryshuar statutin”.
Sipas tij, pretendimet e z. Basha janë absurde sepse statutet e një partie nuk mund tu imponohen ligjeve të Kuvendit.
“Pra, është absurde që një ndryshim statutor mund t’i imponohet Kuvendit. Në këtë drejtim unë mendoj se veprimtaria e Kryetares së Kuvendit, Znj. Nikolla, ka qenë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën. Kryetarin e grupit parlamentar e zgjidhin vetë deputetët, sikurse mund të përmendim dhe zgjedhjen e fundit në Grupin e PS, që pas zgjedhjes së z. Balla si ministër i Brendshëm u zëvendësua me z. Çuçi”, u shpreh Logu.
Duke shpjeguar se çfarë pritet të ndodhë, Logu tha se: “Ajo që ne presim në aspektin ligjor, është që të shqyrtohet kërkesa jonë e bërë në korrik 2023, nëpërmjet së cilës, Këshilli Kombëtar i PD ka vendosur të njoh dhe të pranojë dorëheqjen e z. Basha në 2022, ashtu si dhe dorëheqjen e z. Alibeaj si Kryetar i komanduar”.
Ndaj, shtoi ai, gjykata duhet të pezullojë veprimtarinë e Kryesisë të partisë deri në një moment ku do të sqarohet statusi ligjor i PD dhe funksionet në parti.
Ajo që grupi i Rithemelimit dhe z. Bardhi presin nga Gjykata, sipas Logut është “që funksionet, deri në një moment të dytë, ti drejtojë një grup deputetësh të përbërë nga 7 persona, që të ushtrojnë të drejtat e drejtimit të aktiviteteve politike”.
Logu u shpreh se nuk pret që pajtimi brenda PD-së të vijë nga vendimet e gjykatave, por nga ndërgjegjësimi i deputetëve të partisë dhe funksionimit të detyrimit të tyre si opozitar ndaj qeverisë.
“Zgjidhja për PD nuk besoj se do të vijë nëpërmjet vendimeve të gjykatave. Ajo duhet të vijë nga vendimmarrje politike. Ka qenë shumica e deputetëve të PD që kanë kuptuar se kjo PD është e dobësuar nga ky konflikt dhe janë bashkuar për të bërë opozitë ndaj qeverisë së Edi Ramës. Shumica e deputetëve janë të bashkuar për të përmbushur këtë misioni me Kryetar grupi, Gazment Bardhin.
“Në vlerësimin tonë, të vetmet organe që sot janë statutore dhe ligjore janë Këshilli Kombëtar dhe Sekratri i Përgjithshëm që është z. Bardhi. Nuk i shërben opozitarizmit shkarkimet dhe largimet që po bënë z. Basha, që në momentin e rikthimit që ai pretendon në PD”, nënvizoi Logu.
Kujtojmë se Gjykata e Tiranës vendosi dje pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit, duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




