Lufta kundër korrupsionit, Rama: SPAK të çojë pas hekurave të larguarit nga vettingu

Kryeministri Edi Rama, u shpreh sot në konferencën ku u prezantuan rezultatet e Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO), se lufta kundër korrupsionit ka nisur me Vettingun, ku gjyqtarë e prokurorë, që ishin bërë pis, po pastrohen dhe po largohen nga sistemi. Por gjykimin e tyre nuk e bëjnë politikanët por SPAK, ku, sipas zotit Rama, “shqiptarët dhe ndërkombëtarët kanë shpresa të larta tek ky institucion dhe dështimi i saj do ishte zhgënjim i madh për të gjithë”.
Kryeministri Rama tha se koka e korrupsionit në vend nuk janë politikanët, por koorporatat e gjyqtarëve, ndaj ai theksoi rëndësinë e procesit të vettingut. Ai tha se ky proces nuk ka për qëllim që të gjykojë gjyqtarët apo prokurorët, por vetëm t’i pastrojë ata. Sipas tij, SPAK dhe BKH kanë detyrën për të gjykuar.
Kryeministri Edi Rama i’u rikthye ligjit antishpifje në konferencën antikorrupsion, duke iu drejtuar ndërkombëtarëve se “nëse nuk zgjidhet problemi i shpifjes, fundi i botës, siç e njohim, do të jetë shumë më i afërt sesa mendojmë ne”. Zoti Rama tha se ata që janë pro këtij ligji janë sipërmarrësit, që, sipas kryeministrit, “ndjehen të shantazhuar nga mediat”. /rtsh.al
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




