Lufta Rusi–Ukrainë, të paktën 50 të vrarë nga sulmi me raketë në Karkiv

Botë | 3 vite më parë

Të paktën 50 civilë të vrarë është bilanci i një sulmi me raketë në Ukrainën Verilindore, më i rëndi prej muajsh.

Sulmi i orës 13:15 u raportua në fshatin e Hrozës, në rajonin e Karkivit, dhe mes viktimave ishte edhe një djalë 6-vjeçar.

Ministri i Brendshëm ukrainas, Ihor Klimenko (o. Klymenko) tha se në fshatin me mbi 300 persona po mbahej një ceremoni mortore në momentin e sulmit.

“Në këtë ceremoni kishte persona nga çdo familje. Sipas gjetjeve paraprake, objektivi është goditur nga një raketë Iskander,” informoi ministri Klimenko.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Kiev, raketa nuk kishte për qëllim goditjen e ndonjë objektivi ushtarak në Ukrainë, por “terroristët qëllimisht e kryen sulmin gjatë drekës, që të kishin një numër sa më të madh viktimash”.

Vetëm pak orë më parë, presidenti rus përsëriti qëndrimin e tij se ishte Ukraina që e nisi luftën me mbështetjen e Perëndimit.

Lufta është në vitin e 10-të dhe “operacioni special synon që ta ndalë atë,” tha presidenti Putin gjatë një konference në qytetin e Soçit.

“Sa herë dëgjojmë ‘Duhet’, ‘Kështu’, ‘E kemi seriozisht’. Kush jeni ju? Mbase është koha që të çliroheni nga arroganca dhe ta ndalni këtë lloj sjelljeje ndaj botës,” tha Putini duke iu referuar Perëndimit dhe SHBA-së për shkak të “mentalitetit kolonialist”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme