“Makron gaboi me vizat për Kosovën”, Jorida Tabaku: Ja me çfarë kushtesh duhet të rikthehet Kosova në dialog

Politikë | 3 vite më parë

Jorida Tabaku nuk e ka kompleksin e pranimit të gjithçkaje që vjen nga liderët europianë për shqiptarët. Reagimi i saj për qëndrimin e Presidentit francez në lidhje me idenë e pezullimit të vizave për Kosovën është i qartë. “Qëndrim totalisht i papërshtatshëm, aq më pak për t’u deklaruar në Tiranë. Dhe qëndrim i padrejtë. Praktikisht, është dhe joligjor për t’u zbatuar.”- u shpreh Jorida Tabaku në emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.

Por, me një proces dialogu të bllokuar, a është Kosova në një pozicion jo të favorshëm? Kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit, nuk mendon kështu.

“Pas 24 shtatorit Kosova ndodhet në një dinamikë krejt tjetër. Kush e lexon rezolutën e Parlamentit Europian, të miratuar dje, e kupton se në situatë të pafavorshme ndodhet Serbia. I gjithë presioni duhet të jetë mbi Serbinë. Nëse vërtetohet përfshirja e qeverisë  dhe institucioneve serbe, kërkohet qe të merren masa për Serbinë dhe të pezullohen fondet e BE për Serbinë. Pra nuk më duket Kosova në situatë te pafavorshme”- tha Jorida Tabaku, e cila i bashkohet idesë së ish ministrit të jashtëm socialist Ditmir Bushati se një hap i parë për procesin e dialogut duhet të vijë nga BE, përmes njohjes së Kosovës nga 5 vendet anëtare, që akoma nuk njohin pavarësinë e saj.

Në çdo rast, Jorida Tabaku beson se kanë ndryshuar kushtet me të cilat Kosova duhet të rikthehet në dialog. “Kosova nuk duhet të kthehet me kushtet aktuale, por duhet të rikthehet në tryezën e dialogut me kushte të tjera, me penalizmin e Serbisë, me heqjen e masave ndaj Kosovës, me detyrimin e Serbisë për t’u ulur aty.”- tha Jorida Tabaku gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço në emisionin “Pa Censurë” në RTSH.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme