Manastirliu: Investojmë 1.5 miliardë lekë për përmirësimin e infrastrukturës akademike

Përmirësimi i infrastrukturës universitare do të përbëjë përparësi gjatë vitit 2024. Shembull për këtë janë punimet e nisura në Universitetin “Aleksandër Mosiu” në Durrës, për ndërtimin e Fakultetit të Studimeve Profesionale.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu nëpërmjet një postimi në platformat sociale, e cila ndau edhe pamje nga nisja e punimeve, si dhe nga projekti i godinës së këtij fakulteti.
“Po investojmë për ngritjen e një fakulteti të ri me 45 auditorë, 15 laboratorë, salla konferencash, terrene sportive dhe ambiente për 1700 studentë dhe 80 pedagogë e staf akademik”, shkruan Manastirliu.
Ministrja Manastirliu theksoi se me buxhetin e këtij viti, investojmë 1.5 miliardë lekë për përmirësimin e infrastrukturës akademike, ndërkombëtarizimin dhe kërkimin shkencor në arsimin e lartë.
Fakulteti i Studimeve Profesionale është hapur me vendim të Këshillit të Ministrave në 2006, si një nga njësitë kryesore të Universitetit “Aleksandër Moisiu” (UAMD).
Që nga viti 2010 ka ndryshuar status në “Fakultet i Studimeve Profesionale”. Si ofruesi i arsimit profesional, ky Fakultet, synon krijimin e një sistemi modern dhe cilësor të arsimit profesional në vend.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




