Maratona “Shqipëria Zgjedh 2025”, RTSH ,me transmetim 4-ditor për zgjedhjet parlamentare

Televizion | 1 vit më parë

Radio Televizioni Publik Shqiptar, për katër ditë me radhë ishte në një maratonë zgjedhore për të përcjellë pranë publikut shqiptar zgjedhjet e 11 majit që nga procesi i votimit dhe deri te përfundimi i numërimit të votave.

Nën siglën “Shqipëria Zgjedh 2025”, mbi 200 gazetarë, operatorë dhe staf teknik mundësuan një raportim të plotë nga çdo cep i vendit, duke e sjellë çdo informacion në kohë reale dhe në mënyrë profesionale.

Gazetari Alban Dudushi moderoi studion e Shqipëria Zgjedh 2025 me lidhjet e panumërta të drejtpërdrejta dhe analizat e thelluara me të ftuarit e shumtë, që u bën pjesë e maratonës në RTSH.

Çdo zhvillim, ecuria e procesit të votimit, monitorimi nga ndërkombëtarët, mesazhet nga politikanët, debatet për votën e diasporës, si dhe problematikat në qendrat e votimit, por edhe intervistat ekskluzive nga terreni gjetën pasqyrim “live” në ekranin e gjithë shqiptarëve.

Stafeta e moderimit i kaloi gazetarit Nolian Lole, i cili çeli për tri ditë rresht maratonën me raportimet e gazetarëve nga qendrat e votimit. Gazetarët e shpërndarë në çdo qytet të Shqipërisë ndoqën minutë pas minute procesin zgjedhor.

Raportimet e drejtpërdrejta të maratonës zgjedhore nga qarqet e Kukësit, Shkodrës, Korçës dhe Gjirokastrës erdhën përmes gazetarëve të redaksive të qendrave lokale audiovizive, të cilët treguan një profesionalizëm dhe përkushtim të njëjtë me kolegët e redaksisë së Tiranës.

Por një kontribut i rëndësishëm i kësaj maratone është ai i shumë punonjësve të padukshëm, që nuk dolën përpara kamerave dhe që u angazhuan nga redaksia – kryeredaktorë, redaktorë e koordinatorë, regjisorë e teknikë transmetimi, montazhierë e shoferë, dhe shumë të tjerë, që me punën e tyre bënë të mundur realizimin e lidhjeve direkte, përpunimin e shumë materialeve nga terreni dhe përcjelljen e tyre në kohë reale për të gjitha ngjarjet.

Pjesë e maratonës katërditore ishin edhe gazetarët e uebit zyrtar të Radio Televizionit Publik Shqiptar, si dhe gazetarët e Radio Tiranës, të cilët përcollën për lexuesit dhe dëgjuesit e tyre çdo informacion nga zgjedhjet e 11 majit.

Faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim në maratonat e tjera.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme