Marrëveshja me Emiratet e Bashkuara, Salianji: Pushka kërcet në Shqipëri, shampanja hapet në Dubai! Të zgjidhet problemi i ekstradimit

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit”, ka shkaktuar debate në Komisionin e Sigurisë.
Deputeti demokrat Ervin Salianji ka deklaruar se kjo marrëveshje nuk është kërkuar nga Shqipëria dhe sipas tij nuk mbron interesin shqiptar. Kjo marrëveshje thekson Salianji, është vetëm shkëmbim informacioni.
Salianji kërkoi nga qeveria zgjidhjen e problemit të ekstradimit të personave me rekorde kriminale që zhvillojnë pasuritë e tyre dhe drejtojnë grupet kriminale nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Kjo është një marrëveshje që është kërkuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe jo nga Shqipëria. Ndërkohë ministria e Brendshme dhe qeveria ka shqetësim për grupet kriminale apo për drejtues të grupeve kriminale që jetojnë të lirë në Dubai apo në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe mediat kanë ngritur shqetësim, por ato janë edhe të dokumentuara pasi janë përballur me proces gjyqësor atje. Duke qenë se kjo marrëveshje kalon për shkëmbim informacioni, deri sot nuk është shkëmbyer informacion me Emiratet e Bashkuara Arabe? Shqipëria dhe qeveria në kushtet kur Emiratet e Bashkuara Arabë për shqetësimin e tyre kërkojnë një marrëveshje, pse nuk kërkon që të përshpejtohet apo të arrijë në një situatë për të zgjidhur problematiken e vet për të sjellë kriminelët që jetojnë të lirë atje, duke përfshire elementë të tjerë që kanë të bëjnë me ekstradimin në mënyrë të shpejtë, por vetëm më shkëmbimin e informacionit? Është bërë në media po ashtu, mediave i referohemi sepse ju nuk keni statistika të plota. Pushka kërcet në Shqipëri, shampanja hapet në Dubai. Krerët e grupeve kriminale që janë në kërkim nga policia e shtetit dhe nuk kapen dot flitet që janë aty, disa janë liruar me vendim gjykate. Ka mundësi Shqipëria që ti sjellë këta? Apo qeveria shqiptare është e interesuar që për shkak të bashkëpunimit politike që ka me ta të kenë një parajsë ku të jetojnë të paprekur nga ligji dhe institucioni i shtetit. Ne do ta votojmë, por cili është qëllimi fundor i kësaj marrëveshje për Shqipërinë? E zgjidh problemin e ekstradimit kjo marrëveshje të këtyre personave me rekorde kriminale që jetojnë dhe zhvillojnë pasuritë e tyre dhe drejtojnë grupet kriminale nga Emiratet e Bashkuara Arabe?”, tha Salianji.
Deputeti socialist Xhemal Qefalia theksoi se çdo problem në Shqipëri politizohet. Ai thekson se kjo marrëveshje ngre në një standard më të lartë miqësinë mes dy vendeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




