Mbërrijnë në Gjermani ushtarët e parë ukrainas/ Do stërviten në përdorimin e tankeve dhe mjeteve të avancuara luftarake

Ministria gjermane e Mbrojtjes ka bërë të ditur se ushtarët ukrainas kanë mbërritur në vend për t’u trajnuar në automjetet luftarake të këmbësorisë Marder që Berlini ka rënë dakord t’i ofrojë Kievit.
“Ushtarët ukrainas kanë mbërritur në Gjermani për stërvitje në mjetin luftarak të këmbësorisë Marder” u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes.
Në fillim të këtij muaji, Gjermania tha se do t’i siguronte Ukrainës 40 nga automjetet Marder dhe një bateri shtesë raketore anti-ajrore Patriot.
Ministria gjermane e mbrojtjes ka deklaruar se trajnimi do të zhvillohet në Munster, Saksonia e Poshtme dhe pritet të përfundojë deri në fund të marsit.
Marder është një mjet luftarak këmbësorie i përdorur nga ushtria gjermane që nga fillimi i viteve 1970, por i përmirësuar vazhdimisht, transmeton CNN.
Ndërkohë që ushtria gjermane është në procesin e heqjes së automjetit, qindra të tjerë janë ende në shërbim.
Të mërkurën, kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi dërgimin e 14 tankeve Leopard 2 A6 në Ukrainë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, trajnimi për ushtarët ukrainas se si të përdorin tanket e avancuara të betejës do të fillojë së shpejti në Gjermani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




