Mbi 4,700 familje presin kompensimin për tokat e Fierzës- Pesë dekada pritje, ende pa zgjidhje për pronat e përmbytura

Aktualitet | 2 muaj më parë

Mbi 4700 familje të prekura nga përmbytjet e tokave pas ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës vijojnë të presin kompensimin për pronat e humbura, ndonëse kanë kaluar rreth pesë dekada nga krijimi i liqenit. Çështja e dëmshpërblimeve mbetet ende e pazgjidhur për një pjesë të konsiderueshme të familjeve të Kukësit dhe zonave përreth.

Ndërtimi i HEC-it të Fierzës, i përfunduar në fund të viteve ’70, solli përmbytjen e Kukësit të vjetër dhe të dhjetëra fshatrave në Kukës, Has, Tropojë e Pukë. Përfaqësuesit e tokave të përmbytura thonë se ndër vite janë dhënë premtime dhe janë ndërmarrë disa iniciativa për zgjidhjen e problemit, por kompensimi nuk është bërë në mënyrë të plotë.

“5.000 familje janë fiks që duhet me u dhënë shpërblim. Nga 1.700.575 hektarë tokë të përmbytur kanë ngelur, se kanë përfituar një pjesë. Kanë ngelur 1.292 hektarë”, tha Sherif Kastrati, kryetar i Shoqatës së Tokave të Përmbytura.

Problemi është ngritur vazhdimisht edhe përmes protestave, përmes kërkesave të drejtuara institucioneve.

Në vitet e mëparshme, përfaqësuesit e familjeve të tokave të përmbytura kanë kërkuar ndërhyrjen e qeverisë, ndërsa kanë paralajmëruar edhe protesta në rast se çështja nuk do të marrë një zgjidhje përfundimtare.

Ndërkohë, kjo çështje mbetet aktuale edhe sot, pasi familjet kërkojnë që pas dekadash pritjeje të përcaktohet një zgjidhje konkrete për kompensimin e tokave të përmbytura nga liqeni i Fierzës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme