PD miraton emrat e 4 drejtuesve të komisioneve parlamentare. Berisha: Dërgojmë në Kushtetuese dekretin për “Diellën” dhe ndryshimin e rregullores së Kuvendit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka miratuar sot (16 shtator) emrat e deputetëve që do të drejtojnë komisionet parlamentare të opozitës. Sipas ndryshimeve të miratuara këtë të martë në Kuvend, në total janë 11 komisionet, prej të cilëve 7 do të drejtohen nga mazhoranca dhe 4 nga opozita.
Kështu, bëhet me dije se Ina Zhupa do të drejtojë Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Jorida Tabaku do të drejtojë Komisionin për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Bardh Spahia do të drejtojë Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, ndërsa Luçiano Boçi do të drejtojë Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet.
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar gjatë fjalës së tij se do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e Presidentit Bajram Begaj për ministër virtual dhe po ashtu edhe ndryshimet e miratuara sot në rregulloren e Kuvendit.
“Unë mendoj se të dy aktet që bënë, aktin e pashembullt të presidentit të Republikës i cili dekreton ministër virtual, inekzistent duke fyer Kushtetutën, vendin dhe presidentin. Dhe e bën si një skllav i Edi Ramës, që është i implikuar gjer në palcë në vjedhjen dhe shpërdorimin e pronave të ushtrisë dhe detyrohet të firmosë çdo gjë që i çon Edi Rama. Akt i pashembullt. Unë mendoj se, duhet ta nisim urgjentisht këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese që të arkivohet në banesën e turpit të historisë.
Sikundër ne duhet të dërgojmë menjëherë në Gjykatën Kushtetuese me kërkesën dhe për pezullimin e vendimit të sotëm të miratimit të ndryshimeve të rregullores në të cilën janë shkelur parimet themelore të Kushtetutës, janë shkelur nenet e saj, germa dhe fryma e saj, është shkelur rregullorja e parlamentit. Kushtetuta dhe rregullorja në sintoni të plotë parashikojnë si rrugë të vetme të ndryshimit të Rregullores së Kuvendit, afatin 1 javor, minimal. Dhe këta e bënë në një afat 1 ditor”, tha Berisha.
Mes debatesh Kuvendi miratoi me votat e mazhorancës ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, duke rritur numrin e komisioneve të përhershme parlamentare nga 8 në 11. Opozita kundërshtoi miratimin e këtyre ndryshimeve, duke e konsideruar si shkelje të Kushtetutës. Nga ana e saj, mazhoranca argumentoi se ndryshimet janë të domosdoshme për rritjen e efikasitetit në punën parlamentare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




