MBZHR hap aplikimet për punësimin e të rinjve në agrobiznes

Ekonomi | 4 vite më parë

MBZHR hap aplikimet për punësimin e të rinjve në agrobiznes

Të rinjtë që duan të përfitoj eksperiencë profesionale nga bizneset model që operojnë në agrobiznes, iu krijohet mundësia të aplikojnë në Programin për Zhvillimin e Aftësive Sipërmarrëse të të Rinjve në Agrobiznes.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca njoftoi të shtunën çeljen e aplikimeve për të rinjtë në këtë program.

“Sapo kemi hapur aplikimet për nismën më të re të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe FAO, Programin për Zhvillimin e Aftësive Sipërmarrëse të të Rinjve në Agrobiznes”, tha ministrja Krifca, në videomesazhin e publikuar në rrjete sociale, teksa informoi se kush mund të aplikojë në këtë program.

Ajo e cilësoi këtë program si një mundësi të shkëlqyer për t’u trajnuar dhe për të marrë aftësi që përputhen me tregun e sotëm të punës dhe një mundësi e mrekullueshme për të punuar me sipërmarrës që drejtojnë sot ndërmarje të rëndësishme në fushën e bujqësisë, si Mrizi i Zanave dhe Danish Green Garden.

“Studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës apo shkollave profesionale bujqësore, ju që sapo keni kryer studimet dhe jeni në kërkim të një pune apo të një trajnimi pasuniversitar, ju që jeni në vitin e fundit të studimeve dhe po përgatiteni të dilni shumë shpejt në tregun e punës, apo të gjithë ju që po mendoni një sipërmarrje në bujqësi, mund të aplikoni. Ky program është për ju”, theksoi ministrja.

“Kjo eksperiencë e re, vuri në dukje ministrja, do t’u shërbejë të rinjve për të integruar njohuritë teorike të sipërmarrjes dhe të digjitalizimit, me njohuritë praktike për të çuar përpara prioritetin tonë për një bujqësi inovative ku përdoren teknika inteligjente që sjellin ulje të kostove të prodhimit, si dhe rritje të prodhimit si në bimë ashtu dhe në kafshë” tha zonja Krifca.

Aplikimet do të nisin nga data 15 shkurt deri në 1 mars, me një letër interesi dhe një CV, në emailin: [email protected] .

“Shpallja e 25 fituesve do të bëhet në datën 8 mars dhe unë mezipres që ju të mbaroni këtë trajnim dhe t’i përdorni sa më mirënjohuritë tuaja në shërbim të zhvillimit të bujqësisë”, u shpreh ministrja Krifca. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme