Më shumë bujtina në Gjirokastër, shtëpitë karakteristike hapin dyert për të pritur turistë

Turizëm | 2 muaj më parë

Shtëpitë karakteristike prej guri të lagjeve muzeale nuk janë më vetëm dëshmi e historisë. Ato po marrin një rol të ri, duke u shndërruar në bujtina që mirëpresin çdo ditë vizitorë vendas dhe të huaj. Kjo formë turizmi po u jep banorëve një mundësi të re për të zhvilluar ekonominë familjare, ndërsa lagjeve një jetë të re.

Në lagjen muzeale të Dunavatit, Saide Gjini prej më shumë se tre vitesh mirëpret turistë nga vende të ndryshme.

 “Shumë të kënaqur jemi, sepse dikur kjo ishte një zonë e vdekur. Kishte mbaruar gjithçka. Por me ardhjen e turistëve, po zhvillojmë pak nga pak ekonominë, duke ruajtur traditat tona dhe duke ecur përpara edhe me ushqimin tradicional të qytetit. Shumë të kënaqur jemi edhe nga vizitorët tanë vendas. Vijnë nga Kosova, nga Tirana, nga Durrësi. Kjo na jep shpresë dhe energji për të vazhduar.” – tha Saide Gjini, administratore.

Ajo që tërheq më shumë vizitorët është ndërthurja e arkitekturës tradicionale me jetën e përditshme të banorëve.

“Kemi urën e Ali Pashës, një monument shumëvjeçar me vlera historike. Kemi shtëpinë e Çisë Topullit, si dhe shumë shtëpi të vjetra, të gjitha me çati guri, që mbartin traditën dhe historinë e qytetit tonë. Këto janë pasuri që na krenojnë dhe që duam t’i ruajmë e t’i tregojmë vizitorëve.”

Për shumë turistë të huaj, qëndrimi në një bujtinë është shumë më tepër sesa një akomodim. Është një mundësi për të përjetuar nga afër kulturën vendase dhe për të njohur traditat.

“Zgjodhëm të qëndronim në një bujtinë sepse donim të përjetonim mikpritjen tradicionale dhe jetën e përditshme të banorëve. Kjo zonë ka një histori të pasur dhe një arkitekturë mbresëlënëse. Pa hezitim do ta sugjeroja për këdo që dëshiron të njohë kulturën vendase dhe të shijojë autenticitetin e saj.” – u shpreh një turist.

Interesi në rritje për bujtinat po i kthen lagjet muzeale në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor, duke dëshmuar se ruajtja e trashëgimisë dhe zhvillimi i turizmit mund të ecin krah për krah.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme