Mësim dhe bojkot te Mjekësia, studentët vijojnë protestën për shfuqizim të ligjit

Edhe mësim edhe bojkot. Studentët e Mjekësisë kanë protestuar sërish sot për të përcjellë mesazhin se janë të unifikuar në qëndrimin ndaj bojkotit të mësimit por një pjesë e studentëve të vitit të parë vijojnë të ndjekin rregullisht mësimin.
Pas publikimit të lajmeve të thyerjes së bojkotit nga një pjesë e studentëve të vitit të parë, studentët e viteve më të larta dhe një pjesë e viteve të para të Mjekësisë kanë protestuar sërish këtë të enjte për të demonstruar unifikim të qëndrimit ndaj bojkotit të përgjithshëm.
“Vetëm 10 për qind e jona mund të them se ka marrë pjesë në leksione. Ndoshta nuk janë njohur mirë, ndoshta kanë frikë nga e panjohura. Nga vetë Ministria ju e keni parë se çfarë është bërë,” thotë një studente.
E ndërsa një pjesë e studentëve vijojnë të ndjekin leksionet dhe seminaret, përfaqësues të vitit në protestë theksuan se janë zyrtarisht pjesë e padisë së bërë në Gjykatën Kushtetuese dhe se nuk janë të përjashtuar.
“Njëra nga kërkesat kryesore është që të shfuqizohet ligji për vitet e para. Viti i parë është zyrtarisht pjesë e padisë,” shton një student.
Studentët kërkojnë përgjigje nga autoritetet për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët në lidhje me shfuqizimin e ligjit ndërsa javët pa mësim po rëndojnë edhe më shumë situatën e tyre.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




