Meta : Demokracia duhet të mbrohet çdo ditë dhe me çdo sakrificë!

Presidenti Ilir Meta ka shfytëzuar 70 vjetorin e një prej ngjarjeve tragjike në kohën e regjimit komunist, pushkatimit të 22 intelektualë të shquar, të akuzuar se kishin hedhur bombë në ish-legatën sovjetike në Tiranë, për të përcjellë mesazhet e tij. “Me akuzën e stisur të hedhjes së një bombe në ish-Legatën Sovjetike në Tiranë, sot mbushen 70 vjet nga dita kur 22 intelektualë të shquar, qytetarë të pafajshëm, të ndershëm dhe atdhetarë, të lidhur tok me tela me gjëmba, u ekzekutuan barbarisht me pushkatim, pa gjyq” shkruan zoti Meta.
“Kjo masakër e llahtarshme, e kryer brenda një nate, simbol i terrorit ndaj mendimit ndryshe, është një nga krimet më të rënda shtetërore të atij sistemi, që kurrë nuk duhet të harrohen, për të mos lejuar më të tilla tragjedi të përsëriten në të ardhmen” shkruan presidenti shqiptar.
“Duke nderuar kujtimin e viktimave të pafajshme Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Pjetër Guraziu, Jonuz Kaceli, Anton Delhysa, Haki Kodra, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Shkupi, Ali Qorralliu, Fadil Dizdari, Hekuran Troka dhe Lluka Rashkoviç, masakra e 26 shkurtit 1951, na kujton sot se demokracia duhet të mbrohet çdo ditë dhe me çdo sakrificë.
Sepse “një popull që fle në demokraci, rrezikon që një ditë të zgjohet në diktaturë”.
Ndaj 25 prilli do të jetë Dita e Triumfit të Demokracisë dhe Fuqisë së Votës të çdo qytetari të Republikës” shkruan presidenti Ilir Meta në një status në Facebook.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




