Ministrat “zbresin” pranë qytetarëve, Ismaili: Nga java e ardhshme publikohet kalendari i punës

Politikë | 2 muaj më parë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka njoftuar një risi në komunikimin e ministrave me qytetarët, pas mbledhjes së qeverisë. Ismaili bëri me dije se, duke nisur nga java e ardhshme, prania e ministrave pranë qytetarëve do të shtrihet në një nivel më të gjerë. Sipas saj, çdo ministër do të bëjë publik kalendarin e punimeve dhe angazhimeve, me synim rritjen e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe transparent me qytetarët.

“Duke filluar nga java e ardhshme, nga dita e premte, “Prania Besnike” do të shtrihet dhe në nivel ministri. Secili prej tyre do të bëjë me dije kalendarin e tyre të punimeve për të qenë më pranë qytetarëve dhe për të qenë një vlerë e shtuar e komunikimit transparent të ministrit direkt me qytetarët, për të ndjekur problematika apo çështje që kërkojnë të implementohen në vëmendjen e ministrit”, u shpreh Ismaili.

Kryeministri Edi Rama prezantoi një javë më parë mënyrën se si do të funksionojë “Prania Besnike”, një nismë që synon të krijojë një komunikim të drejtpërdrejtë dhe të rregullt mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre.

Sipas Ramës, takimi me qytetarët do të zhvillohet çdo të premte, në orën 17:00, në një vend dhe orar të përcaktuar paraprakisht. Qytetarët do të kenë mundësi të paraqiten dhe të takohen ballë për ballë me përfaqësuesit e tyre për të shprehur shqetësimet dhe problematikat që kanë.

Rama theksoi se kjo nismë nuk synon t’i kthejë deputetët në “sekserë” apo të telefonojnë drejtorët, por shqetësimet e qytetarëve duhet të shkojnë në rrugë ligjore me shkrim tek institucionet përkatëse.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme