Modernizohet skema ujitëse në Mursi, Rama: Kosto më të ulëta për fermerët

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se në fshatin Mursi të Bashkisë Konispol po vijon puna për modernizimin e plotë të skemës ujitëse. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë nëvizoi se ky projekt infrastrukturor synon të transformojë rrënjësisht mënyrën se si sigurohet ujitja për tokat bujqësore të kësaj zone.
Investimi i ri parashikon zëvendësimin e sistemeve tradicionale me infrastrukturë bashkëkohore për shpërndarjen e ujit. Ndërhyrja teknike ka për synim rritjen e eficiencës dhe uljen e shpenzimeve për fermerët lokalë gjatë sezoneve të kultivimit.
Duke i mëshuar ndikimit direkt të këtij projekti në prodhimin bujqësor, Kryeministri Rama u shpreh se “përmes rrjetit të ri të tubacioneve dhe hidranteve, fermerët do të kenë më pak humbje uji, kosto më të ulëta dhe mundësi për përdorimin e sistemeve me pika dhe shihedhës”.
Ky rrjet i ri pritet të lehtësojë punën e përditshme të fermerëve të zonës së Konispolit, duke mundësuar kalimin drejt teknologjive më kursimtare dhe më efikase të ujitjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





