Ndërtimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, nënshkruhet marrëveshja me BERZH. Balluku: Do rrisë komunikimin mes vendeve

Shqipëria ka firmosur një marrëveshje huaje me BERZH, për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotiti. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nënshkroi marrëveshjen në Londër këtë të hënë (26 shkurt), teksa e konsideron ndërtimin e hekurudhës si një projekt të rëndësishëm për të gjithë rajonin. Sipas ministres, njëherazi edhe zv.kryeministre, ky projekt do të rrisë komunikimin mes vendeve duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
“Shqipëria firmosi një nga marrëveshjet më të rëndësishme, atë të huasë sa i përket ndërtimit të hekurudhës Vorë-Hani i Hotiti. Por sot ishte edhe një ditë e shënuar për sektorin energjetik ku u diskutua për të gjitha praktikat më të mira të ndjekura ndër vite dhe Shqipëria merret si shembull i ekselencës. Shqipëria sot ka një komponent shumë të rëndësishëm që është rritja e turizmit. Me një numër prej 10 mln vitin e kaluar të vizitorëve dhe synimi është të arrijmë mbi 13 mln në vitin 2024. Duket qartë nga të dhënat si po zhvillohet kjo fushë e rëndësishme, turizmi në Shqipëri”, u shpreh Balluku.
Ajo shton po ashtu se BERZH do të mbështesë edhe investime në sektorë të tjerë siç është uji dhe kanalizimet si dhe transporti i gjelbër.
“BERZH është i interesuar të mbështesë edhe investime në sektorin e ujit dhe kanalizimeve, por edhe transportit të gjelbër si një nga alternativat më të rëndësishme, sidomos për Shqipërinë. Sot përveç firmosjes së kësaj huaje kaq të rëndësishme kemi vënë edhe disa gurë themeli për projektet që kemi në të ardhmen”, tha Balluku.
Projekti i hekurudhës Vorë-Hani Hotit pritet kalojë në shtatë bashki dhe të përshkrojë të gjithë Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha do të lidhë qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



