Në Gjirokastër për jetë nate, qyteti ofron gjithçka për çdo moshë

Gjirokastra tashmë ka plotësuar gjitha normat e duhura dhe ka marrë vlerësime nga turistët dhe vizitorët, sepse nevojat e tyre për argëtim ofrohen jo vetë ditën, por edhe natën.
Ndodhemi në mesin e muajit shtator dhe këtu në qendrën historike të qytetit është vështirë të gjesh dallime midis gjallërisë së ditës me atë të natës.
“Është e mahnitshme .Kemi ardhur dje dhe po bëjmë një tur nëpër Shqipëri. Është shumë bukur dhe po dashurohem me këtë vend. Unë vij nga Argjentina, është hera ime e parë këtu dhe vij me dikë nga Kosova. Është shumë interesant si vend”, tha turisti.
Qyteti në orët e natës ofron gjithçka për çdo moshë. Bare, restorante, koncerte me muzikë moderne, tradicionale, mandej edhe polifoni. Qendra muzeale e qytetit mbetet kompakte edhe natën, duke lejuar bujtësit të gëzojnë një sërë aktivitetesh.
“Është shumë bukur, kam bërë shumë video me celularin tim. Është e mahnitshme, e pazakonte dhe do t’ja u rekomandoj miqve të mi dhe kështu mund të vijmë sërish këtu bashkë me ata edhe herë të tjera.Unë jam nga Kazakistani ndërsa shoku im nga Gjermania”, thonë turistët.
Disa turistë thonë se e kanë natën më të mirë se ditën
“Është shumë bukur dhe po na pëlqen edhe grupi muzikor. Unë vij nga Mançester dhe së bashku me partneren jetojmë në Hamburg. Do të vashdojmë të shijojmë jetën e natës me pak muzikë, pije dhe ndonjë restorant të mirë . Jeta e natës është ideale”
Vizitorët janë të shumtë dhe argëtimi nuk ka fund. Edhe pse në orën 23 muzika e fortë si rregull ndërpritet, baret dhe dyqanet e suvenireve qëndrojnë të hapura deri pas mesnate. Guidat i orjentojnë vizitorët drejt bareve të Kodrës, Pazarit, Obeliskut, Bashtesë së Teqesë, Kubesë, Sheshit të Çerçizit. Kudo e njëjta gjallëri.
Të gjithë përjetojnë një natë interesante në këtë qytet, ku nata është më e zhurmshme se dita. Dita kalon pa u ndjerë në muzeumet e shumtë të qytetit. Por nëse dëshironi të kaloni një përvojë të paharrueshme nate në jetën tuaj, udhëtoni drejt Gjirokastrës, ku dita humbet brenda thesarit të trashëgimisë arkitekturore dhe historike të këtij muzeu gjigand e të hapur, ndërsa nata është koha ku gjumi bëhet i harruar dhe i ndaluar.
Gazetar: L. Koçiu
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




