“Në Kohë Reale”, Protagonisti i fotos së luftës, Xajë Mustafa: Vendimi për ish-krerët e UÇK-së njollos luftën çlirimtare, NATO-n dhe shtetin tonë

Kosovë | 38 minuta më parë

Xajë Mustafa, protagonisti i njërës prej fotove më të dhimbshme të luftës së Kosovës, rikujtoi emocionet e thella pas vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së, duke e cilësuar atë si një padrejtësi që njollos luftën çlirimtare dhe sakrificat e popullit shqiptar.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSh 1 HD, Mustafa tha se vendimi i gjykatës e ka rënduar shumë shpirtërisht, sidomos për shkak të formulimit “në emër të popullit”.

Është një vendim i padrejtë. Pse në emrin tim u dha ky vendim? Ky vendim e njollos luftën e UÇK-së, njollos NATO-n, shtetin tonë. Ky vendim nuk është në emër të popullit, sepse populli nuk i ka dënuar ata,” u shpreh ai me emocion.

Në rrëfimin e tij për RTSH 1 HD, Mustafa nuk fshehu emocionet e thella që e shoqërojnë edhe sot, pas kaq vitesh.

Ai tha se vendimi i Gjykatës Speciale është një plagë e re për të gjithë ata që kanë përjetuar luftën dhe sakrificat e saj.

Ky vendim nuk është në emër të popullit. Populli nuk i ka dënuar ata. Parlamenti i Kosovës duhet të reagojë si një i vetëm dhe të punojë për t’i nxjerrë ata prej andej,” u shpreh ai, duke bërë thirrje për unitet politik dhe institucional.

Mustafa, i cili u bë simbol i dhimbjes dhe shpresës gjatë luftës përmes fotografisë së realizuar nga fotoreporteri amerikan Peter Turnley në vitin 1999, rikujtoi historinë e tij të mbushur me vuajtje dhe ankth.

Ai tregoi se ishte liruar nga një burg serb dhe i detyruar të kalonte kufirin për në Shqipëri, ku në momentin më dramatik nxori dy fotografi të fëmijëve të tij, të cilët mendonte se ishin vrarë.

Ata më gjuajtën disa herë që t’i hidhja, por unë i mora dhe u thashë: këto fotografi nuk i lë në dorën tuaj, janë të fëmijëve të mi. Çfarë ju hyjnë në punë? – më thanë ata, sepse ne i kemi vrarë në Kosovë,” kujtoi ai.

Fotografia e tij, ku shfaqej me dy imazhet e fëmijëve të zhdukur, u publikua në mediat botërore dhe u kthye në një nga simbolet më të fuqishme të vuajtjeve të popullit të Kosovës.

Por pas muajsh ankthi, Mustafa u ribashkua me familjen e tij dhe mësoi se fëmijët ishin gjallë.

Shpresat kanë qenë shumë të vogla për t’u takuar ndonjëherë me ta, por fatmirësisht ndodhi e mira. Pas gjashtë muajsh u ritakuam dhe ishte emocion i madh,” tha ai, duke kujtuar momentin kur një komshi nga Mitrovica i tregoi se gruaja dhe fëmijët e tij ishin strehuar në Ulqin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme