Nga arsimi në bujqësi, ish-mësuesi i është përkushtuar fermës së mollëve
Edhe pse kanë kaluar 13 vite që prej daljes në pension, ish-mësuesi Stavri Mele nga fshati Rëmbec i Maliqit, nuk është shkëputur nga puna. Sot, ai ia kushton ditët bujqësisë, duke u marrë me kultivimin e mollëve në një sipërfaqe prej 5 hektarësh, së bashku me vëllanë dhe një mikun e tyre.
“Gjatë kohës që kam qenë mësues, kur kam qenë në Podgorie flinim aty të dielave. Vija ndihmoja aq pak. Pastaj kur erdha mësues në Rëmbec, mbaronte mësimi në orën 2, vija në punë në bujqësi, e kam ndihmuar familjen. Krahas asaj që kur kam dalë në pension deri më sot këtu në punë kam kam qëndruar”, deklaroi Mele.
Edhe këtë vit, fermerët janë përballur me vështirësi. Reshjet e breshërit dëmtuan një pjesë të prodhimit, megjithatë pjesa tjetër e pemishtes paraqitet në gjendje të mirë dhe pritet të japë një prodhim të bollshëm.
“Varetet kryesore janë Sarkina, Goldi, Fuxhi, Gala, Reneta edhe ca grasmitë. Gjatë kësaj periudhe ne kemi patur një breshër që na dëmtoi në tërësi në baçen ku jemi sot që është 2 hektar e gjysëm. Shpresojmë të marrim rreth 40% të prodhimit të përgjithshëm të baçes. Kemi dhe baça të tjera që nuk na dëmtoi breshëri. Ato janë mirë sivjet. Shpresojmë të marrim prodhim të mire”, shtoi ai.
Falë përvojës së krijuar ndër vite dhe bashkëpunimit mes tyre, fermerët kanë siguruar edhe tregun për shitjen e mollëve.
“Kemi dhe frigoriferin në fshat, aty fusim 200 ton mollë, i grumbullojmë dhe i shesim që nga frigoriferi. Kemi lidhje me tregtarë të tjerë”, u shpreh Mele.
Edhe në moshën 78-vjeçare, ish-mësuesi vazhdon të punojë çdo ditë në pemishten e tij, duke dëshmuar se dashuria për tokën dhe vlera e punës nuk njohin moshë.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





