Nga pagat e magjistratëve te ndryshimet në qeveri, çfarë u miratua në seancën maratonë të Kuvendit

Ka qenë një seancë maratonë ajo e së enjtes në Kuvend, ku pas diskutimesh e debatesh, ligjvënësit kanë votuar një sërë projektligjesh. Një prej tyre është ligji për pagat e magjistratëve, një prej ligjeve që ka shkaktuar debatet më të shumta, ndërsa në të njëjtën seancë u votuan edhe ndryshime në qeveri, përbërjen e komisioneve parlamentare dhe disa marrëveshje ndërkombëtare. Seanca nisi me një deklaratë të përbashkët të të gjitha grupeve parlamentare lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Deklarata u lexua në Kuvend nga Peleshi.
Më pas, axhenda vijoi me tre interpelanca dhe diskutimin e disa prej çështjeve që kishin prodhuar debat gjatë ditëve të fundit. Në qendër ishte ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili lidhet edhe me çështjen e pagave të magjistratëve. Nisma e deputetëve Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli u miratua me 84 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim.
Krahas debatit për magjistratët, seanca solli edhe një ndryshim në kabinetin qeveritar. Me 83 vota pro, Kuvendi miratoi shkarkimin e Besfort Lamallarit nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme. Po me 83 vota u miratua edhe emërimi i Ervin Demos në këtë post. Në të njëjtën kohë, Kuvendi miratoi shkarkimin e Demos nga detyra e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor. Ndryshimi në krye të Ministrisë së Brendshme u votua pa vota kundër apo abstenime.
Në seancën e gjatë parlamentare u miratuan edhe disa marrëveshje ndërkombëtare. Kuvendi votoi me 102 vota pro ratifikimin e Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën. Me 107 vota pro u miratua Konventa kuadër e Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës. Po me 107 vota pro kaloi edhe vendimi i Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit për ndryshimin e marrëveshjes ndërkombëtare për vajin e ullirit dhe ullinjtë e tavolinës. Ndërkohë, projektligji “Për disenjot” u miratua me 102 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim.
Në fund të axhendës, deputetët votuan edhe ndryshime në kryesinë, anëtarësinë dhe përbërjen zëvendësuese të komisioneve të përhershme të Kuvendit. Ndryshimet në kryesinë e komisioneve morën 82 vota pro dhe 1 kundër, ato për anëtarësinë 80 vota pro dhe 1 kundër, ndërsa ndryshimet për anëtarët zëvendësues u miratuan me 81 vota pro dhe 1 kundër. Dy projektligje të tjera të parashikuara në rendin e ditës u shtynë për seancën e radhës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




