Ngritja e Fondit Sovran, Rama: Një pjesë e të ardhurave nga nafta në Shpirag, për pensionistët

Politikë | 3 vite më parë

Prej një viti qeveria ka nisur punën për konceptimin për ngritjen e Fondit Sovran në Republikën e Shqipërisë, qëllimi i së cilës është balancimi mes shfrytëzimit aktual të të ardhurave nga rezerva dhe vënies në dispozicion të një pjesë të të ardhurave për të ardhmen, për gjeneratat e tjera.

Kryeministri Edi Rama në një komunikim për mediat, bëri me dije se qeveria shqiptare është në proces pune me Fondin e Pensioneve të Norvegjisë.

“Ne jemi në një proces pune konkrete, të konsultuar me Fondin Sovran të Norvegjisë, ose Fondi i pensioneve të Norvegjisë. Do ketë një profil i cili do të integrojë domosdoshmërinë për mbështetjen e pensionistëve dhe balancimin e gjithë barrës së tmerrshme të trashëguar nga e shkuara me parimin etik që kjo pasuri është qoftë e atyre që jetuan dhe punuan në këtë vend dhe nuk patën pjesën e tyre në të, por edhe e atyre që lindin sot në këtë vend.

Fondi Sovran është fond investimesh, një pjesë  e të ardhurave e vendos për ti shumëfishuar ato në tregun ndërkombëtar. Paralelisht ne punojmë me qendrën për zhvillim ndërkombëtar të universitetit të Harvardit me të cilin kemi prej kohësh marrëdhënie pune shumë të dobishme. Kemi angazhuar kontaktet tona me fondet e tjera të Arabisë Sauide, Emirateve, etj”, tha Rama.

Më tej, ai bëri me dije se ka nisur gjithashtu eksplorimi i fushës së Dumresë, ku ka të dhëna inkurajuese për nxjerrjen e pasurive nëntokësore.

“Ndërkohë në Shqipëri ka filluar eksplorimi i fushës së Dumresë, ku një tjetër kolos global në fushën e shfrytëzimit të pasurive nëntokësore, natyrore Kompania italiane ENI është në punë. Edhe aty kemi të dhëna optimiste, inkurajuese por puna është në një stad fillestar, sepse kompania hyri në punë para pandemisë, por pandemia solli një bllokim të gjatë të procesit.

Besoj shumë që impakti i gjithë kësaj zone të re të pashfrytëzuar të potencialit tonë ekonomik do të jetë i jashtëzakonshëm. Kemi në dispozicion skenarë të ndryshëm, sepse asgjë nuk është e parashikuar, por nisur nga skenari më konservator, përfitimi është një burim i ri masiv investimi dhe financimi në ekonominë shqiptare”, përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme