Një ditë në “ishullin” e Obotit

Sociale | 6 vite më parë

Prej një muaji Oboti, një fshat simbol i përmbytjeve afër Shkodrës, i ngjan një ishulli. Në këtë hall që u ka rënë banorëve të tij, Forcat e Armatosura janë të vetmet që në asnjë moment nuk i lanë vetëm banorët e këtij fshati. Gazetarja Merisa Gjoni e operatori Elton Shllaku, përshkuan rrugën për në Obot me varkë, e biseduan me oficerin Erlin Tema, për çfarë po ndodh prej një muaji në Nënshkodër.
Dita për oficer Erlinin dhe ekuipazhin e tij nis në orën 5.30 të mëngjesit, në repartin ushtarak të Vau Dejësit, ku bën përgatitjet e duhura për një ditë të vështirë. Në orën shtatë futen në ujëra!

Oficer Erlini e njeh mire zonen pasi misionet e tij civile në Obot kanë nisur në vitin 2006, e më pas në 2010-ën, 2018-ën. Asnjëherë nuk është njësoj…Permbytjet e herepashershme i kanë plakur para kohe banorët e Obotit…
“Situata është e vështirë. Na lind nevoja që të merremi edhe me ndihmë psikologjike për banorët duke i motivuar ata që edhe ne jemi me ju gjatë gjithë kohës” thotë Erlini.
Çdo ditë Forcat e Armatosura bëjnë 10-12 rrugë për në brendësi të fshatit Obot. Më të vështirat mbeten rastet emergjente. “Këto situata edhe ne përjetojmë bashkë me banorët” thotë ushtaraku Erlin Tema. 
Në misione, edhe në kohë paqeje, forcat e armatosura kanë pjesë të pandarë rriskun, por ata nuk presin asgjë më shumë sesa mirënjohja e banorëve.
Veç rrugës së Obotit dhe asaj Shirq-Darragjat, e bllokuar është dhe rruga e Goricës.  Në shifrat e së shtunës raportohet për 3 655 hektarë tokë nën ujë. Ujërat, matur në hidrometrin e Dajçit si dhe Liqeni i Shkodrës vijojnë të jenë 35 dhe 15 cm mbi kuotën maksimale. 
KESH njofton se prurjet në kaskadën e Drinit kanë rënë në 790 m3/ujë në sekondë. Por ndryshe po ndodh me shkarkimet. Ndryshe nga 3 ditë më parë, kur shkarkohej me 1 000 m3/ujë në sekondë, të shtunën shkarkohet nga të tri hidrocentralet , 1 600 m3/ujë në sekondë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme