Noka: Shqipëria është kthyer në një Meksikë në Ballkan

Ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka ka deklaruar në studion e emisionit “3D” në RTSH 1 se ngjarja e sotme në burgun e Peqinit është mjaft tragjike dhe që tregon se Shqipëria po kthehet në një Meksikë në Ballkan.
Noka theksoi se ai e kishte paralajmëruar një gjendje të tillë në vend që në vitin 2014 kur sipas tij, filloi gjerësisht kanabizimi.
Sipas tij, ajo që kishte thënë para 9 vitesh rezultoi edhe sot me ngjarjen e rëndë në burgun e Peqinit, ku të dënuarit me burgim të përjetshëm janë konfliktuar mes tyre dhe njëri prej tyre Sokol Mjacaj qëlloi për vdekje të dënuarin tjetër, Arben Lleshi dhe plagosi Indrin Shaqjan.
“Është një ngjarje tragjike shumë e rëndë, është një sinjal alarmi për sigurinë. Për fat të keq është shenja e parë që mafia është në përmasa të tilla saqë paralajmëron një Meksikë në Ballkan.
Kur ka filluar kanabizimi i vendit, e kam thënë në Komisionin e Sigurisë dhe në Parlament se ky fenomen që po implementohet rrezikshëm në Shqipëri do të ketë pasoja afatgjata me jetë njerëzish.
E para do të jetë me pasoja jashtë dhe brenda burgjeve dhe më vonë do të kthehet në një Meksikë. Kjo deklaratë e imja ekziston në mars të 2014-s”, tha në emisionin “3D”, Flamur Noka.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




